Jep dorëheqjen Jensen Huang, themeluesi i Nvidia largohet pas skandalit me dy lidhjet jashtëmartesore

Jensen Huang ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Nvidia, kompanisë më të madhe në botë për prodhimin e çipave të inteligjencës artificiale, pas një jave polemikash që tronditën drejtimin e saj.
Lajmi është raportuar nga “The Guardian” dhe konfirmohet edhe nga “The Wall Street Journal”. Sipas raportimeve, drejtoresha financiare e kompanisë, Colette Kress, do të marrë përkohësisht drejtimin e Nvidia-s, deri në emërimin e një pasuesi të përhershëm. Bordi ka nisur procesin për gjetjen e drejtuesit të ri dhe do të shqyrtojë kandidatë brenda dhe jashtë kompanisë.
Largimi i Huang vjen pas publikimit të pretendimeve për dy marrëdhënie jashtëmartesore, njëra prej të cilave lidhet me një biznesmene kineze, Alice Huang, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se ka lidhje me shërbimet sekrete të Pekinit.
Çështja mori përmasa më të mëdha për shkak të dyshimeve se biznesmenja mund të kishte tentuar të ndikonte te drejtuesi i Nvidia-s për të lehtësuar aksesin e kompanive kineze në çipat e avancuar amerikanë. Huang ka pranuar se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes, por ka mohuar të ketë pasur dijeni për ndonjë lidhje të mundshme të saj me inteligjencën kineze.
Ndërkohë, “New York Times” raportoi edhe për një marrëdhënie tjetër të pretenduar me Kimberly Powell, drejtuese e sektorit të kujdesit shëndetësor në Nvidia, e cila raportonte drejtpërdrejt tek ai.
Përpara dorëheqjes, bordi kishte angazhuar një studio ligjore të njohur amerikane për të zhvilluar një hetim të pavarur mbi çështjen.
Huang, 63 vjeç, bashkëthemeloi Nvidia në vitin 1993 dhe për më shumë se tri dekada e drejtoi kompaninë, duke e kthyer në një nga aktorët kryesorë të revolucionit të inteligjencës artificiale. Largimi i tij shënon një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin e kompanisë, e cila ka një rol qendror në industrinë globale të teknologjisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




