Shtëpia botuese Dukagjini hap thirrjen DUKËSHKENCË: fton nxënësit e klasave 1-9 të krijojnë projekte praktike shkencore
Me rastin e Ditës Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim, që shënohet më 10 nëntor, shtëpia botuese “Dukagjini” ka hapur thirrjen DUKËSHKENCË përmes së cilës fton nxënësit e klasave 1-9 nga shkollat e Kosovës të eksplorojnë botën e shkencës përmes projekteve praktike dhe krijuese.
I konceptuar si projekt klasor, DUKËSHKENCË synon të nxisë kureshtjen, kreativitetin dhe zbatimin praktik të njohurive shkencore, duke u mundësuar nxënësve të hulumtojnë dukuri të ndryshme dhe të krijojnë projekte praktike që lidhen me jetën e përditshme. Pjesëmarrja organizohet në nivel klase, nën mentorimin e mësimdhënësit/es, ndërsa projektet duhet të dokumentohen përmes një videoje 1-3 minutëshe.
Klasat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të fitojnë shpërblime për pasurimin e hapësirave mësimore, përfshirë sete eksperimentesh, tabela interaktive dhe materiale për këndet e leximit. Shpërblime të veçanta janë paraparë edhe për mësimdhënësit mentorë të klasave fituese, të cilët do të përfitojnë trofe dhe trajnim të licencuar me kredi.
Të interesuarit mund të gjejnë detajet për kategoritë pjesëmarrëse, temat e projekteve, kriteret e vlerësimit dhe udhëzimet teknike për aplikim në materialet informuese të bashkëngjitura.
Thirrja DUKËSHKENCË: https://www.facebook.com/share/p/1Q9Meuur72/
Udhëzimet teknike: https://www.facebook.com/share/p/1M8npkpEDr/
Aplikimi bëhet nga mësimdhënësi/ja mentor/e, duke dërguar dokumentacionin dhe videon e projektit në adresën elektronike: duke@dukagjinipublishing.com. Videoja duhet të dërgohet përmes platformës Filemail: https://www.filemail.com/
Afati i fundit për aplikim është 10 dhjetor 2026, në orën 23:59.
Për informata shtesë dhe konsultime, mësimdhënësit mund të kontaktojnë ekipin e shtëpisë botuese “Dukagjini” në adresën elektronike duke@dukagjinipublishing.com ose në numrin +383 49 750 012.
Përmes kësaj nisme, “Dukagjini” synon t’u ofrojë nxënësve mundësinë që shkencën ta përjetojnë përmes hulumtimit, eksperimentimit dhe krijimtarisë, duke dëshmuar se ajo është pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme.





























