Gjykata e Apelit ka shpallur vendimin për Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Alind Kajoshin, duke lënë në fuqi pafajësinë e dhënë nga Gjykata e Shkodrës për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”.
Për dy veprat e tjera penale, Apeli ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke vendosur zbatimin e amnistisë për tre të pandehurit.
Prokuroria e Shkodrës kishte kërkuar dënimin e tyre me një total prej 24 vitesh burg.
Sipas akuzës së SPAK, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se ishin nisur drejt Bushatit të armatosur dhe me automjete të blinduara, me qëllim vrasjen e anëtarëve të familjes Prendi.
Sipas dosjes hetimore, sapo grupi mbërriti në Bushat, Aleksandër Prendi i ka konstatuar dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të blinduara.
Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të ndryshme, çka sipas SPAK-ut dëshmon për një shkëmbim zjarri.
Lidhjet me grupin Bajri
Në dosjen hetimore, SPAK i identifikon Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin si pjesë të grupit kriminal të drejtuar nga Safet Bajri. Sipas hetimeve, pamjet filmike dhe të dhënat e nxjerra nga telefonat celularë kanë shërbyer për dokumentimin e lidhjeve mes personave të dyshuar.
Një nga elementet e rëndësishme të dosjes është edhe një lokal në zonën e Dobraçit, i cili, sipas SPAK, frekuentohej nga Safet Bajri, Sakica dhe Troshani. Në materialet hetimore janë administruar fotografi dhe video ku shfaqen armë zjarri të vendosura në ambientet e lokalit.














