Elon Musk ka shprehur gatishmërinë për të punësuar Jensen Huang, pasi ky i fundit dha dorëheqjen me efekt të menjëhershëm nga postet e presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s, duke i dhënë fund drejtimit 33-vjeçar të kompanisë që bashkëthemeloi në vitin 1993. Largimi i tij vjen në një periudhë të trazuar për gjigantin e teknologjisë, pas raportimeve për marrëdhënie jashtëmartesore dhe dyshimeve për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare.

Deklarata e Musk u bë në platformën X, në përgjigje të një postimi të blogut financiar ZeroHedge, i cili i kërkonte kreut të Tesla-s dhe SpaceX-it të punësonte 63-vjeçarin Huang, në rast se ai largohej nga Nvidia. "Do të ishte nder për mua", shkroi Musk, pa dhënë detaje për ndonjë ofertë konkrete apo pozicion të mundshëm.

Ndërkohë, bordi drejtues i Nvidia-s ka emëruar drejtoreshën financiare Colette Kress në detyrën e drejtores ekzekutive të përkohshme, deri në përzgjedhjen e një pasardhësi të përhershëm. Huang ka dhënë gjithashtu dorëheqjen nga posti i anëtarit të bordit drejtues. Ai drejtoi kompaninë që prej themelimit të saj në vitin 1993, duke e kthyer në një prej gjigantëve më të rëndësishëm të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Përtej zhvillimeve të fundit, Elon Musk dhe Jensen Huang kanë një marrëdhënie të ngushtë biznesi prej më shumë se një dekade. Nvidia furnizon me çipa automjetet Tesla Model S dhe Model X, ndërsa teknologjia e saj përdoret në sistemet e drejtimit autonom dhe në projektet e inteligjencës artificiale të kompanisë xAI.

Vetëm muajin e kaluar, Musk kishte shprehur publikisht vlerësimin për Huang përmes një postimi në X, ku shkruante: "Miqtë e vjetër janë miqtë më të mirë", duke shtuar gjithashtu: "Jensen është i jashtëzakonshëm".

Nga ana e tij, Huang kishte treguar gjatë një interviste në dhjetor të vitit të kaluar, se Musk ishte klienti i parë i superkompjuterit DGX-1 të Nvidia-s, në vitin 2016.

Ai kujtoi se në atë kohë "askush në botë nuk e dëshironte" këtë pajisje, por Musk vendosi ta blinte, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme zhvillimit të teknologjisë së kompanisë.

Ndërkohë, largimi i Huang vjen pas raportimeve për marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një me Alice Huang, ish-drejtuese në kompaninë Megaspeed, për të cilën autoritetet amerikane kanë ngritur dyshime për lidhje me inteligjencën kineze. Huang ka pranuar se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes dhe është zotuar të bashkëpunojë me hetimin e pavarur të nisur nga bordi i Nvidia-s.