Tradita shqiptare e Besës dhe mikpritja që shqiptarët u ofruan hebrenjve gjatë Holokaustit janë vlerësuar nga organizata ndërkombëtare hebraike Chabad-Lubavitch, e cila ka njoftuar hapjen e qendrës së saj të parë të përhershme në Shqipëri.
Njoftimi është bërë gjatë Konferencës Ndërkombëtare të të Dërguarve të Chabad-Lubavitch, ndërsa në artikullin e publikuar më 11 nëntor në faqen zyrtare të organizatës i kushtohet vëmendje e veçantë historisë së shqiptarëve që strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë nga përndjekja naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rabini Yossi Fridman, i cili së bashku me bashkëshorten Etka dhe djalin e tyre Meir do të vendoset në Shqipëri për të ngritur qendrën, e cilësoi Besën shqiptare si një traditë të mbajtjes së premtimit ndaj mikut, pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve.
“Koncepti shqiptar i Besës do të thotë ta mbash premtimin ndaj mikut, pavarësisht kostos. Gjatë Holokaustit, shqiptarët e mbajtën atë premtim ndaj popullit hebre. Ne kemi ardhur për të ndërtuar një shtëpi ku çdo hebre që hyn nga dera të trajtohet si pjesëtar i familjes, ashtu siç Shqipëria e trajtoi popullin tonë kur kishte më shumë rëndësi”, u shpreh rabini Fridman.
Në artikull theksohet se Shqipëria zë një vend të veçantë në historinë e hebrenjve për shkak të mbrojtjes që shqiptarët u ofruan gjatë Holokaustit. Familjet shqiptare hapën dyert e shtëpive të tyre për hebrenjtë që përndiqeshin, duke i strehuar dhe duke rrezikuar sigurinë e tyre për t’i shpëtuar nga nazistët.
Sipas organizatës, Shqipëria ishte i vetmi vend europian ku në përfundim të Luftës së Dytë Botërore jetonin më shumë hebrenj sesa përpara nisjes së saj, një fakt që në artikull lidhet me traditën e mikpritjes dhe Besën shqiptare.
Pikërisht kjo histori solidariteti është një nga elementet që shoqëron vendimin e organizatës për të zgjeruar veprimtarinë e saj në Shqipëri.
Qendra e re do t’i shërbejë komunitetit hebre vendas dhe turistëve hebrenj që vizitojnë vendin, veçanërisht atyre nga Izraeli. Ajo synon të ofrojë një vend për lutje, ushqim kosher, vakte tradicionale të Shabatit dhe aktivitete të tjera fetare e komunitare.
Në shkrim kujtohet gjithashtu historia rreth 2 mijëvjeçare e pranisë së hebrenjve në Shqipëri, për të cilën përmenden edhe mbetjet e një sinagoge të lashtë të zbuluara në Sarandë.
Organizata ndalet edhe te periudha e regjimit komunist, kur praktikat fetare u ndaluan dhe komuniteti hebre shqiptar mbeti i izoluar nga komunitetet e tjera hebraike në botë.
Me hapjen e qendrës së parë të përhershme, familja Fridman synon të forcojë jetën fetare dhe komunitare të hebrenjve në Shqipëri, duke e lidhur misionin e saj me traditën e Besës dhe mikpritjes që shqiptarët dëshmuan në një prej periudhave më të vështira të historisë së popullit hebre./TCH
