Deputeti Tritan Shehu ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se Samiti i NATO-s i vitit 2027 nuk do të zhvillohet në Tiranë. Shehu e cilëson këtë një lajm të keq, por të paralajmëruar, ndërsa argumenton se arsyeja e vërtetë e anulimit nuk lidhet vetëm me nivelin e ulët të financimit të Shqipërisë për NATO-n, por edhe me mungesën e besimit dhe të sigurisë.
Sipas deputetit demokrat, korrupsioni, përfshirja e institucioneve në funksion të tij dhe lidhjet e pretenduara të niveleve të larta të qeverisjes me krimin dhe trafikun kanë krijuar një situatë që, sipas tij, e bën Shqipërinë të papërshtatshme për organizimin e një aktiviteti të tillë ndërkombëtar.
Më tej, Shehu thekson se një shtet ku sundojnë korrupsioni dhe krimi nuk mund të garantojë sigurinë e aktiviteteve madhore ndërkombëtare.
“Një lajm i keq, por i paralajmëruar ky për shqiptarët.
Ashtu siç u parapri, që në vigjilje të Samitit të NATO-s në Ankara, vitin që vjen nuk do të zhvillohet ai aktivitet në Tiranë.
Kjo “tingëlloi” më tej me zhvillimin e atij Samiti, me deklaratën finale të Ankarasë.
Një arsye, që qarkullon formalisht, është mbështetja e ulët financiare e Shqipërisë në përqindje të GDP-së për NATO-n.
Në fakt, është shumë më tepër se kaq, sepse kjo dihej që kur u “vendos” për ta realizuar në Tiranë këtë Samit.
Prandaj, pa u artikuluar se është mungesa e sigurisë për një aktivitet të tillë, që e anuloi përfundimisht nga Tirana.
Janë shumë elemente, si rritja galopante e korrupsionit, vënia e institucioneve në funksion të tij, nën krimin e trafiku.
Implikimi me krimin, që nga anëtarë të Qeverisë e deri te drejtuesja e Shërbimit Informativ.
Duke krijuar tablonë e plotë të Narko-shtetit që po qeveris vendin, që shkatërron sigurinë.
Në këto kushte, ka humbur çdo besim…
Një Narko-shtet është krejt i pasigurt për të tilla aktivitete madhore.
Sepse mungesa e sigurisë lidhet direkt me sundimin e korrupsionit, krimit etj.”– tha Shehu.













