Thursday / November 12 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Dhomat e tregtisë kërkojnë rishikimin e Paketës Fiskale 2027 dhe shtyrjen e zbatimit të masave

Share Share Icon

Dhomat e tregtisë kanë kërkuar rishikimin e disa prej ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke ngritur shqetësime për rritjen e barrës tatimore, mungesën e konsultimeve dhe ndikimin në konkurrueshmërinë e ekonomisë. Përfaqësuesit e biznesit kanë propozuar shtyrjen e zbatimit të disa masave, përcaktimin e dispozitave tranzitore dhe kryerjen e analizave të ndikimit ekonomik përpara miratimit të tyre.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike të Tregtisë dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkuan që qeveria të përqendrohet në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe luftën kundër informalitetit, në vend të rritjes së normave tatimore.

Ndër shqetësimet kryesore janë rritja e tatimit mbi dividendin, ndryshimet në normat e TVSH-së dhe ulja e pragut të regjistrimit në TVSH. Bizneset kërkojnë gjithashtu më shumë parashikueshmëri në politikat fiskale, duke argumentuar se ndryshimet e shpeshta ndikojnë në planet afatgjata të investimeve.

Dhoma Amerikane :Dispozita tranzitore për dividendin, tatimin mbi pagën dhe TVSH-në e hotelerisë

Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi që zbatimi i ndryshimeve fiskale të shoqërohet me dispozita tranzitore të qarta, veçanërisht për tatimin mbi dividendin, tatimin mbi pagën dhe ndryshimet e TVSH-së në sektorin e hotelerisë, për të shmangur ndikimin e menjëhershëm në detyrimet dhe kontratat ekzistuese të bizneseve.

Alketa Uruçi, përfaqësuese e Dhomës Amerikane dhe anëtare e Këshillit Tatimor, kërkoi që të sqarohet në ligj se si do të trajtohen dividendët që u përkasin viteve të mëparshme, kur norma e tatimit ishte 8%.

“Duhet të sqarohet se si do të trajtohet dividendi për vitet e mëparshme, kur ishte 8%”, tha Uruçi.

Një tjetër kërkesë lidhet me të vetëpunësuarit që trajtohen me tatim mbi pagën, për shkak se ofrojnë shërbime për një klient të vetëm. Sipas saj, duhet të përcaktohet qartë zbatimi në kohë i normave të reja progresive, duke pasur parasysh se detyrimet tatimore për vitin 2026 paguhen në mars të vitit pasardhës.

Uruçi kërkoi gjithashtu shtyrjen e ndryshimeve të TVSH-së për sektorin e hotelerisë, duke argumentuar se strukturat akomoduese kanë lidhur kontrata me agjencitë e huaja që në vitet 2025 dhe 2026 për sezonin e ardhshëm turistik.

“Bizneset në hoteleri nuk punojnë me klientë që u trokasin në derë. Ato kanë kapacitete që i kanë shitur paraprakisht te agjencitë e huaja”, tha ajo.

Për këtë arsye, Dhoma Amerikane sugjeron që ndryshimet të mos zbatohen gjatë sezonit pranverë-verë 2027, por të shtyhen për një periudhë të mëvonshme, në mënyrë që bizneset të kenë mundësi t’i reflektojnë në kontratat dhe çmimet e tyre.

Uruçi ngriti shqetësimin edhe për kohën e pamjaftueshme të konsultimit. Sipas saj, paketa iu vu në dispozicion përfaqësuesve të biznesit vetëm dy ditë përpara diskutimit me ministrin, duke mos u dhënë mundësi të mblidhnin komentet e anëtarëve.

Ajo tha se biznesi nuk kundërshton mbështetjen për familjet në nevojë dhe se ulja e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit të biznesit.

“Problematika qëndron te fakti se ulja e TVSH-së shoqërohet me rritjen e saj për të gjitha mallrat e tjera. Kjo nuk financohet nga buxheti apo nga ulja e informalitetit, por paratë merren sërish nga qytetarët shqiptarë dhe bizneset përmes rritjes së normës me një pikë përqindje”, tha ajo.

Sipas Uruçit, financimi i masave sociale duhet të mbështetet te zgjerimi i bazës së tatimpaguesve dhe ulja e informalitetit. Ajo u shpreh se administrata tatimore mbledh të ardhura vetëm nga 3-5% e tatimpaguesve, ndërsa pjesa tjetër e bazës mbetet e patatuar.

Nertitan Mullaj, përfaqësues i Dhomës Amerikane të Tregtisë, tha se biznesit i ka munguar mundësia për konsultim me Ministrinë e Financave dhe qeverinë për masat e propozuara.

“Një nga kërkesat tona është që të ketë një analizë të thelluar ekonomike për ndikimin e këtyre masave. Një analizë e tillë nuk është bërë”, tha Mullaj.

Ai vuri theksin te parashikueshmëria e politikave fiskale, veçanërisht për investitorët e huaj, të cilët i mbështesin vendimet e tyre në plane shumëvjeçare.

“Biznesi operon me plane dhe ka nevojë të parashikojë aktivitetin e tij. Ka pasur parashikimet e veta për vitin e ardhshëm apo edhe përtej tij. Të gjitha këto duhet të ndryshohen me këtë paketë”, u shpreh ai.

Sipas Mullajt, qeveria duhet të adresojë informalitetin dhe të synojë rritjen e të ardhurave buxhetore përmes zgjerimit të bazës së tatimpaguesve.

“Ndryshimet çdo vit e bëjnë ekonominë më pak konkurruese”, tha ai, duke kërkuar më shumë qëndrueshmëri fiskale.

Dhoma Britanike :Shtyrje të masave dhe analiza të ndikimit ekonomik

Dhoma Britanike e Tregtisë ka kërkuar rishikimin e rritjes së tatimit mbi dividendin, ndryshimeve në normat e TVSH-së dhe uljes së pragut të regjistrimit në TVSH, duke paralajmëruar pasoja për bizneset, investitorët dhe konsumatorët nëse masat zbatohen pa një periudhë përshtatjeje.

Estela Kllojka, përfaqësuese e Dhomës Britanike, tha se nevoja për rritjen e të ardhurave buxhetore dhe mbështetjen e kategorive në nevojë duhet të harmonizohet me ruajtjen e konkurrueshmërisë dhe sigurisë juridike për investitorët.

“Vendimet për investime mbështeten në plane financiare shumëvjeçare dhe në kuadrin fiskal në fuqi”, tha Kllojka, duke theksuar rëndësinë e parashikueshmërisë së politikave.

Në rekomandimet e saj, Dhoma Britanike kërkon shtyrjen e hyrjes në fuqi të masave që ndikojnë ndjeshëm në investime, kontrata dhe planifikimin financiar të bizneseve, deri në përfundimin e analizave të ndikimit dhe konsultimit publik.

Dhoma propozon gjithashtu shqyrtimin e një kalendari zbatimi gradual prej tre deri në pesë vjetësh për ndryshimet me ndikim të lartë ekonomik.

Një tjetër kërkesë është publikimi i një vlerësimi të plotë të ndikimit të Paketës Fiskale në PBB, inflacion, investimet e huaja direkte, punësim, të ardhurat buxhetore dhe sektorin financiar.

Përpara rritjes së normave tatimore, Dhoma Britanike rekomandon që qeveria të vlerësojë alternativat për zgjerimin e bazës së tatueshme, reduktimin e informalitetit dhe përmirësimin e administrimit tatimor.

Ajo kërkon rishikimin e propozimit për uljen e pragut të TVSH-së, duke marrë parasysh kostot administrative dhe ndikimin mbi bizneset e vogla, si dhe dispozita kalimtare për kontratat ekzistuese dhe investimet në zhvillim.

Dhoma Britanike kërkon gjithashtu analiza të posaçme për sektorët me investime të mëdha kapitale, përfshirë telekomunikacionin, ndërtimin, turizmin, shëndetësinë private, energjinë dhe karburantet.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Drafti i ri për bankat, rregulla për konfliktet me klientët dhe kompanitë e kredive me probleme

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri për bankat dhe institucionet financiare jobanka, që parashikon rregulla...

2 hours më parë 3 Min Lexim

BSH: Protestat shtojnë pasiguritë dhe rreziqet për ekonominë

Protestat dhe tensionet shoqërore i kanë shtuar rreziqet për ekonominë shqiptare. Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e katërt të vitit...

2 hours më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!