Prokuroria nxori sot 4 urdhër-arreste për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Kadastrës së Fierit, të dyshuar për tjetërsimin e 44 mijë hektarëve tokë.

Bëhet fjalë për tokë shtetërore ne zonën e Povelçës, e cila përmes dokumenteve të falsifikuara, kaloi në pronësi të Halil Gashit për ndërtimin e paneleve diellore.

Mes personave të arrestuar është Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit të Fierit, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë e Kadastrës në këtë qytet.

Voja dyshohet se, gjatë kohës qe drejtonte Kadastrën, ka kryer dy vepra penale: falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Masat e arrestit me burg janë lëshuar edhe për Dilaver Shytin, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas; Fjorelo Bidën, punonjëse e Kadastrës dhe Anila Haxhiun, notere. 

Ndërsa për Arbina Jaupajn, punonjëse e Kadastrës, prokuroria ka caktuar masën  detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës per të mos dale jashtë vendit. Biznesmeni Gashi nga ana tjetër nuk është proceduar. 

Në maj të vitit 2023, Agjencia Shtetërore e Kadastrës e kishte kallëzuar Vojën në SPAK për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar një dëm prej 9.5 milionë lekësh për shtetin.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Vojën dhe gjashtë punonjës të tjerë për një çështje të veçantë, që lidhej me dyshime për shkelje në dhënien e lejeve mjedisore gjatë kohës kur ai drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër.

Hetimet për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë vijojnë për të zbardhur mënyrën si është kaluar prona nga shtetërore në private dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Ky është vetëm hetimi i fundit që prek Kadastrën e Fierit për këtë vit.  Vetëm dy muaj më parë, në shtator 2026, gjykata la në burg dy ish-drejtues të tjerë të Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, së bashku me ish-specialistin Piro Çela.

Ata u hetuan për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se lejuan tjetërsimin e mbi 1,100 hektarëve tokë në zonën e Semanit në favor të ndërtuesve dhe përfituesve privatë. 

Gjatë hetimeve të shtatorit u sekuestruan sipërfaqe të mëdha toke dhe shuma të konsiderueshme parash (mbi 700 mijë euro)

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:57
Tjetërsimi i 44 mijë m² tokë në Povelçë, drejtori i Spitalit të Fierit dërgohet në paraburgim pas mbi 4 orësh marrje në pyetje! Në qeli edhe të arrestuarit e tjerë

Pas më shumë se katër orësh marrje në pyetje nga prokurorët, drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është dërguar në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Fierit.

Voja u arrestua me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës. Sipas dyshimeve, prona është kaluar në pronësi private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.