Partia Demokratike ka formalizuar nisjen e procesit për mbledhjen e propozimeve të kandidaturave për kryetarë bashkie, të cilat do të përfaqësojnë forcën politike në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor që do të zhvillohen më 9 maj 2027. Përmes një udhëzimi të firmosur nga kryedemokrati Sali Berisha dhe sekretari I përgjithshëm i PD më datë 10 nëntor, PD I hap rrugën një procesi të gjerë hapjeje ndaj shoqërisë, strukturave dhe komuniteteve vendore. Në udhëzim renditen pikat për zgjedhjen e kandidaturave si afati I propozimeve, ku procesi pranë të gjitha degëve demokrate duhet të mbyllet brenda datës 30 nëntor. Në 15 bashkitë e prekura nga shkrirja territoriale, do të organizohen konsultime me banorët e njësive të shkrira për të garantuar përfaqësimin. Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e ligjit të dekriminalizimit, të kenë arsim të lartë, të jenë aktivë në jetën publike dhe të mos kenë mbajtur funksione të larta në regjimin komunist deri më 2 korrik 1991. Dokumentacioni i aplikantëve do të shqyrtohet brenda 15 ditëve nga Komisioni i Seleksionimit të Kandidaturave, i cili do t’i përcjellë listën e kualifikuar Kryesisë së Partisë.