
Ish-kreu i Kadastrës së Fierit, Arben Voja dhe tre nëpunës të tjerë vendorë u arrestuan të enjten pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Fierit për tjetërsimin e një ngastre toke me sipërfaqe 44 mijë metra katrorë në pronësi të shtetit.
Pas tjetërsimit, toka i ka kaluar një biznesi privat për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Ndalimet u kryen me miratimin e Gjykatës së Fierit, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Vojën, i cili mbante aktualisht detyrën e drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit. Në arrest me burg u lanë edhe ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, noterja Anila Haxhiaj dhe punonjësi i ASHK-së, Fjorelo Bido, ndërsa punonjësja tjetër e ASHK, Arbina Jaupaj u la në detyrim paraqitje.
Voja dhe katër personat e tjerë janë nën hetim për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Një burim në dijeni të çështjes i tha BIRN në kushtet e anonimatit se toka shtet prej 44 mijë metrash katrorë ishte tjetërsuar fillimisht në emër të një familjeje të zonës, pa dijeninë e tyre, për të kaluar më pas në emër të një biznesmeni.
Toka ka pasur si qëllim përdorimin për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Bashkia e Fierit është destinacioni kryesor i licensave për parqe fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri, me mbi 50 licensa të dhëna nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërtimi i këtyre parqeve ka shkaktuar tashmë problemet e para për komunitetet lokale për shkak të problemeve të pronësisë dhe shfrytëzimit pa kriter të tokës bujqësore.






