Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet për strehimin social, kredi me interes zero dhe subvencionim 50% të qirasë

Sociale | 4 minuta më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar”.

Gjatë shqyrtimit në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, nisma ligjore u prezantua nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Ajo bëri me dije se ndryshimet e propozuara synojnë zgjerimin e skemave të mbështetjes përtej familjeve në nevojë, duke përfshirë edhe çiftet e reja, profesionistët, si dhe familjet me të ardhura të rregullta që hasin vështirësi në blerjen e një banese.

Sipas sqarimeve të ministres Ibrahimaj, paketa e re parashikon lehtësi konkrete financiare, ku përfshihen kredi me interes zero, garanci për parapagimin e banesës, si dhe subvencionimin në masën 50% të qirasë për kategori të caktuara, përfshirë studentët e nivelit master dhe profesionistët.

Një tjetër risi e projektligjit është ngritja e Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social. Ky fond do të financohet nga buxheti i shtetit, kontributet private dhe të ardhurat e gjeneruara nga projektet e banimit.

Administrimi i tij do t’i besohet Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social, ndërsa përcaktimi i prioriteteve dhe financimi i projekteve do të kryhet nga një bord i posaçëm.

Nga ana e saj, relatorja e çështjes, Aulona Bylykbashi, vlerësoi rëndësinë e nismës për ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm strehimi që u përgjigjet nevojave reale të shtresave në vështirësi sociale dhe ekonomike.

Pasi konfirmoi kushtetutshmërinë dhe përputhshmërinë e draftit me Rregulloren e Kuvendit, ajo ftoi deputetët ta mbështesin atë, duke sjellë miratimin e plotë të projektligjit pas pyetjeve dhe diskutimeve në komision.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme