
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho denoncon rritjen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë, duke theksuar se gjatë 10 viteve të fundit ato kanë kaluar nga 860 në 2 200 euro për metër katror. Për të një banesë që në vitin 2015 kushtonte 86 mijë euro, sot shitet për rreth 195 mijë euro, ndërsa një çifti të ri i duhen 76% më shumë të ardhura vjetore për të blerë të njëjtën shtëpi.
Xhixho akuzon se tregu i ndërtimit është kthyer në një mekanizëm për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, ndërsa kërkon ndryshimin e modelit ekonomik për t’u krijuar më shumë mundësi të rinjve dhe familjeve të reja.
“Në 10 vitet e fundit, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur nga 860 euro në 2 200 euro për metër katror. Një banesë që kushtonte 86 mijë euro, sot shitet për rreth 195 mijë euro. Për të blerë të njëjtën shtëpi, një çifti të ri i duhen 76% më shumë të ardhura vjetore sesa në vitin 2015. Ky është modeli i ekonomisë së betonit: kulla që ngrihen çdo ditë, çmime në stratosferë, ku tregu i ndërtimit është kthyer në një mekanizëm të pastrimit të parave.
Ndërsa miliardat derdhen në beton, familjet e reja nuk arrijnë të blejnë një shtëpi, të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ndaj të rinjtë kanë muaj që protestojnë, sepse një nga arsyet është pikërisht fakti se janë brezi që nuk arrin të blejë dot një shtëpi për të ndërtuar familjen dhe të ardhmen e tij.
Shqipëria ka nevojë për një ndryshim thelbësor në modelin ekonomik, ku të mbështetet prodhimi dhe të ndërtohet një ekonomi tregu konkurruese, që krijon mundësi të barabarta për këdo”.
