Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve, nafta do të shitet me 210 lekë/litër, ndërsa benzina me 165 lekë/litër

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit ka përcaktuar këtë të enjte, më 12 nëntor 2026, tarifat e reja tavan për tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve në vend. Vendimi u mor në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, si dhe kuadrit ligjor e fiskal në fuqi.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e miratuara nga bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 12 nëntor, në orën 18:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e radhës, ku do të pasqyrohen ndryshimet e reja të tregut.
Tarifat e reja tavan të miratuara:
- Gazoili (standardi SSH EN 590)- Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 210 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
- Benzina (standardi SSH EN)- Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 165 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 153 lekë/litër.
- Gazi për automjete- Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë 71 lekë/litër, ndërsa me shumicë 59 lekë/litër.
- Gazoili për peshkimin- Çmimi për këtë sektor shtë caktuar në nivelin 114 lekë/litër.
Autoritetet u kanë tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të tregut të shumicës dhe pakicës mbi detyrimin ligjor për zbatimin e këtyre çmimeve. Në njoftim paralajmërohet se “në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, rikonfirmojnë angazhimin e tyre “të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



