Duke filluar nga dita e nesërme, e premte, 13 nëntor 2026, do të nisin punimet e reja infrastrukturore dhe estetike në segmentin rrugor nga ish-Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit, çka do të shoqërohet me devijim të përkohshëm të trafikut në autostradën Tiranë-Durrës.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërhyrjet kryhen në kuadër të projektit “Plotësimi i punimeve dhe përmirësimi estetik nga ish-Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”.
Projekti parashikon ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit, realizimin e sistemit të ndriçimit rrugor, si dhe “përmirësimin e shtresave asfaltike në segmentin nga ish-Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re”.
Për shkak të ndërhyrjeve në terren dhe në zbatim të planit të menaxhimit të trafikut, ARRSH bën me dije se “do të bëhet devijimi i përkohshëm i njërës prej korsive të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes së mjeteve në korsitë e tjera të disponueshme”.
Autoriteti Rrugor siguron se kontraktori ka marrë të gjitha masat për organizimin e qarkullimit, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës e personelit në kantier.
Në përfundim të njoftimit, ARRSH u drejtohet qytetarëve me një apel për kujdes të shtuar: “Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve gjatë zhvillimit të punimeve, si dhe respektimin e sinjalistikës së përkohshme dhe udhëzimeve të punonjësve në terren”.









