Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa të reja ekonomike ndaj Meksikës, duke kërcënuar me dyfishimin e tarifave tregtare nëse autoritetet e vendit nuk ndalojnë një karvan me mbi 1,000 emigrantë që po udhëton drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara.

Paralajmërimi u bë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë i kërkoi qeverisë meksikane të ndërhyjë menjëherë për të penguar lëvizjen e emigrantëve.

“Meksika duhet t’i ndalojë ata tani. Në të kundërt, tarifat ndaj Meksikës do të dyfishohen menjëherë. Nuk do të ketë asnjë lehtësim!”, deklaroi Trump.

Karvani, i përbërë kryesisht nga shtetas të vendeve të Amerikës Qendrore, u nis të martën nga Tapachula, në jug të Meksikës, pranë kufirit me Guatemalën. Rreth 1,500 persona janë bashkuar në këtë udhëtim, me shpresën për të arritur në SHBA dhe për të nisur një jetë të re.

Nga ana tjetër, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum konfirmoi se autoritetet janë në dijeni të lëvizjes së emigrantëve, por siguroi se situata po menaxhohet pa përdorur masa represive. Sipas saj, emigrantët janë informuar për pengesat që mund të hasin në kufirin amerikan, ndërsa po punohet për të lehtësuar kthimin e tyre në vendet e origjinës.

Sheinbaum bëri të ditur gjithashtu se, që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, asnjë karvan emigrantësh nuk ka mundur të mbërrijë në kufirin e SHBA-së.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, mbështeti qëndrimin e presidentit, duke deklaruar se administrata amerikane do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë kufitare.

“Ne do të përdorim të gjitha asetet për t’u siguruar që kufijtë tanë janë të sigurt. Ky karvan i paligjshëm i emigrantëve nuk do të lejohet të hyjë në vendin tonë”, u shpreh ai.

Kërcënimi i ri vjen në një periudhë tensionesh në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Meksikos, ndërsa dy vendet janë të përfshira në negociata për një marrëveshje të re tregtare. Politika e ashpër e administratës Trump ndaj emigracionit ka ndikuar ndërkohë në uljen e ndjeshme të fluksit drejt kufirit jugor amerikan, duke lënë bosh edhe disa qendra pritjeje në territorin meksikan.