Detaje të reja mbi të kaluarën e Luka Beqirajt, 39-vjeçarit nga Vlora, i njohur me nofkën “Kriols”, po dalin në dritë pas ekzekutimit të tij në provincën e Alicante-s në Spanjë. Mediat spanjolle raportojnë për arrestime të mëparshme të shqiptarit dhe dyshime mbi lidhjet e tij me grupe mafioze italo-shqiptare, të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.
Emri i Beqirajt rezulton të jetë përfshirë në disa operacione policore ndër vite. Në vitin 2016, ai u arrestua në Shqipëri, pasi dyshohej se kishte ushtruar dhunë të rëndë ndaj një personi tjetër, duke e plagosur.
Tre vite më vonë, në vitin 2019, Beqiraj u arrestua sërish gjatë operacionit “Fiori di Primavera” (Lulet e Pranverës), të zhvilluar nga policia italiane pas dy vitesh hetime. Në këtë aksion u angazhuan më shumë se 100 efektivë dhe u arrestuan 27 persona, mes tyre edhe 39-vjeçari shqiptar.
Sipas raportimeve, grupi kriminal me të cilin dyshohet se kishte lidhje kishte bazën në provincën e Leçes, në jug të Italisë, por aktiviteti i tij shtrihej edhe në disa rajone të tjera të vendit, përfshirë Kalabrinë, Toskanën, Emilia-Romanjën, Sicilinë, Ligurinë dhe Lombardinë.
Ndërkohë, hetimet për vrasjen në Spanjë vijojnë dhe autori i dyshuar i ekzekutimit ende nuk është kapur. Beqiraj u qëllua me armë zjarri në zonën e Playa Flamenca.
Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit është ajo e një larjeje hesapesh, e mundshme për shkak të borxheve që 39-vjeçari mund të kishte krijuar gjatë aktivitetit të tij të mëparshëm kriminal. Megjithatë, kjo mbetet vetëm një hipotezë hetimore dhe motivi i vrasjes nuk është konfirmuar zyrtarisht.


