Skandal diplomatik në Kosovë, zhduken 9 zyrtarë të delegacionit somalez
Dyshohet se u arratisën drejt BE-së
Një vizitë zyrtare e një delegacioni nga Somalia në Kosovë është shndërruar në një skandal diplomatik, pasi nëntë persona që shoqëronin dy ministra somalezë janë zhdukur pa lënë gjurmë. Ata u larguan nga hoteli ku qëndronin pranë Prishtinës dhe nuk u paraqitën në aeroport për t’u kthyer në vendin e tyre, duke ngritur dyshime se mund të kenë shfrytëzuar vizitën zyrtare për të kaluar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Autoritetet e Kosovës i kanë kërkuar zyrtarisht qeverisë së Somalisë të japë shpjegime për vendndodhjen e nëntë personave, ndërsa në Mogadishu kanë dalë pretendime për një skemë të mundshme të përfitimit të vizave dhe largimit drejt Europës.
Sipas një note diplomatike të datës 30 tetor 2026, me numër reference 4868-561/26, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka shprehur shqetësim serioz për rrethanat e largimit të tyre.
Delegacioni somalez kishte mbërritur në Kosovë më 25 tetor, rreth orës 19:45, me një fluturim të kompanisë “Turkish Airlines”. Ai drejtohej nga ministri i Shtetit për Punë Publike, Banesa dhe Rindërtim, Said Mohamed Mohamud, dhe zëvendësministrja e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah.
Nëntë personat që rezultojnë të zhdukur ishin pjesë e grupit shoqërues të delegacionit.
Sipas komunikimit diplomatik, mbrëmjen e 27 tetorit, rreth orës 19:10, ata u larguan nga hoteli pranë Prishtinës pa njoftuar autoritetet përgjegjëse. Mungesa e tyre u konstatua një ditë më pas, gjatë përgatitjeve për transportimin e delegacionit drejt aeroportit.
Pavarësisht përpjekjeve të Protokollit Shtetëror për të marrë informacion nga përfaqësuesit somalezë, nuk u sigurua asnjë përgjigje konkrete për vendndodhjen e nëntë personave.
Ndërkohë, dy drejtuesit e delegacionit, ministri Said Mohamed Mohamud dhe zëvendësministrja Fartuun Abdikadir Farah, u larguan nga Kosova më 28 tetor, sipas itinerarit të planifikuar. Nëntë shoqëruesit e tyre nuk u paraqitën në terminalin VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Dyshime për shitje vizash, në Somali raportohet për shkarkimin e ministrave
Skandali ka marrë përmasa edhe më të mëdha pas raportimeve nga mediat somaleze për një skemë të mundshme të shitjes së vizave. Sipas këtyre pretendimeve, persona të paraqitur si punonjës të institucioneve shtetërore dyshohet se janë përfshirë në delegacion kundrejt pagesave, me qëllim sigurimin e mundësisë për të udhëtuar drejt Europës.
Raportimet pretendojnë se dy ministra federalë janë shkarkuar nga detyra për shkak të dyshimeve se kanë lehtësuar përfshirjen e nëntë personave në delegacion në këmbim të parave.
Ndërkohë, burime të cituara nga media somaleze “Garowe Online” pretendojnë se personat e zhdukur mund të kenë udhëtuar drejt shteteve të tjera dhe të kenë kërkuar azil. Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim të pavarur për destinacionet e tyre apo për statusin e mundshëm të azilkërkuesve.
Në notën diplomatike të Kosovës nuk përmenden pretendimet për shitje vizash, pagesa apo përfshirje të ministrave në ndonjë skemë të paligjshme. Dokumenti konfirmon largimin e nëntë personave nga hoteli dhe mungesën e informacionit për vendndodhjen e tyre.
Për këtë arsye, Prishtina i ka kërkuar zyrtarisht Mogadishut të sqarojë rrethanat e ngjarjes, të japë informacion mbi sigurinë e personave dhe të njoftojë autoritetet kosovare për çdo të dhënë të re lidhur me itinerarin e tyre.
Deri më tani, mbetet mister se ku ndodhen nëntë personat dhe nëse dyshimet për përdorimin e delegacionit qeveritar si rrugë për të siguruar hyrjen në Europë do të konfirmohen nga hetimet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



