Edhe pse konsiderohet një fshat turistik bregdetar, Rrushkulli në Durrës përballet me probleme të theksuara infrastrukturore.
Banorët kanë protestuar sot për gjendjen e degraduar të rrugëve, ku gropat e shumta dhe kanalizimet e papërfunduara e kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Sipas tyre, situata është përkeqësuar pas punimeve për sistemimin e rrjetit të kanalizimeve, pjesë e një investimi të Bashkisë Durrës.
Banorët pretendojnë se kanalizimet kanë mbetur të palidhura me rrjetin kryesor, ndërsa rruga është dëmtuar përgjatë gjithë gjatësisë së saj.
“Shqetësim për banorët është përfundimi i punimeve, si dhe transparenca mbi përdorimin e fondeve dhe taksave të tyre”, tha Osman Stafa, kryetar i PD dega 2 në Durrës.
Banorët theksojnë se pavarësisht faktit që konsiderohet fshat turistik, dekadat e fundit ata ndihen të lënë jashtë vëmendjes së pushtetit vendor dhe kërkojnë një zgjidhje konkrete për infrastrukturën e zonës. Në të kundërt, paralajmërojnë përshkallëzim të protestave të tyre.
Top Channel
