Media spanjolle ka zbardhur elementë nga e kaluara kriminale e Luka Beqirajt, 39-vjeçarit shqiptar që u ekzekutua me armë të martën në Orihuela Costa. Sipas artikullit të El Español, Beqiraj, i njohur me nofkën “Kriols”, dyshohet se kishte lidhje me organizata italo-shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve të luftës.
Media sjell se Beqiraj ishte pjesë e një rrjeti kriminal që furnizonte me armë dhe municione grupe narkotrafikantësh në Itali. Emri i tij u përmend gjatë një operacioni të autoriteteve italiane në vitin 2019, të koduar “Fiori di Primavera” (Lulet e Pranverës). Operacioni, i zhvilluar nga Policia Financiare italiane pas dy vitesh hetime, përfundoi me 27 të arrestuar, përfshirë 21 shtetas shqiptarë. Në mesin e të ndaluarve ishte edhe Beqiraj, i akuzuar për përfshirje në aktivitetet e një organizate që merrej me trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.
Hetime të cituara nga El Español tregojnë se grupi kishte baza kryesore në provincën e Leçes dhe aktivitetet e tij shtriheshin edhe në Kalabri, Toskanë, Siçili, Liguri, Lombardi dhe Emilia-Romagna. Beqiraj, i lindur në Vlorë në vitin 1987, kishte pasur probleme me ligjin edhe më parë: në vitin 2016 ai u arrestua në Shqipëri për një sulm të dhunshëm që shkaktoi plagosje të rëndë. Tre vite më vonë emri i tij u përfshi në hetimet italiane kundër rrjetit italo-shqiptar.
Rastin e ekzekutimit në Spanjë, El Español e raporton se 39-vjeçari u qëllua për vdekje në një kompleks sportiv në Playa Flamenca, në Orihuela Costa. Autor i dyshuar e qëlloi në befasi dhe u largua menjëherë nga vendngjarja. Guardia Civil vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa hetuesit nuk kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të jetë larje hesapesh për borxhe të mundshme nga e kaluara kriminale e Beqirajt.
Media thekson po ashtu se zona e Costa Blanca është prej vitesh një vend strehimi për persona të lidhur me organizata kriminale ndërkombëtare për shkak të infrastrukturës së transportit, aeroporteve, porteve dhe rrjedhës së lartë turistike. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende motivin e ekzekutimit dhe hetimet vazhdojnë.
