Ish-presidenti Ilir Meta ka përsëritur pretendimin se hetimi i SPAK-ut ndaj tij është ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Gjatë seancës gjyqësore, Meta e cilësoi Yuri Kim si “armike të përbetuar të Shqipërisë dhe në shërbim të Serbisë”, duke vijuar të mbrojë versionin e tij për atë që e konsideron një proces të ndikuar politikisht.
Meta pretendoi gjithashtu se, gjatë kohës kur ishte President i Republikës, ishte kërcënuar nga pesë përfaqësues të ambasadave për të mos dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por për të mbështetur emrin e Arta Vorpsit.
Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila është gjithashtu e pandehur në të njëjtën dosje, mbështeti pretendimet e Metës.
“U kërcënua në mënyrë të njëanshme duke përdorur instrumentet e ambasadave që jetonin në Shqipëri ose funksiononin në Shqipëri, dhe kjo është e vërtetë faktikisht. Informimin e këtij mesazhi e kam bërë unë në Departamentin e Shtetit”, u shpreh Kryemadhi.
Gjatë seancës, Kryemadhi përfundoi parashtrimet e saj, duke kundërshtuar provat për lobimin me kompaninë G.S.I.S. dhe kërkuar kryerjen e një ekspertimi financiar të dokumenteve. Parashtrimet e saj kishin nisur në korrik dhe janë paraqitur personalisht prej saj.
Nga ana tjetër, Meta kërkoi që si prova të reja të administrohen edhe vendimi i fajësisë dhe dënimit të Kastriot Ismailajt, si dhe të merren dëshmi të tjera nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Pas seancës, deputeti i PL-së, Tedi Blushi, përsëriti qëndrimin mbrojtës të Metës, duke pretenduar se ndaj ish-presidentit nuk ka prova për kryerjen e veprave penale.
“U rikonfirmua i njëjti qëndrim ndaj zotit Meta: nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt penal, nuk është sekuestruar asnjë qindarkë e paligjshme dhe asnjë metër katror pasuri. Pra, kemi të bëjmë thjesht me një proces politik, të diktuar nga Edi Rama, i cili e mban qëllimisht në paraburgim, duke e vendosur në kushtet e persekutimit politik”, deklaroi Blushi.
Seanca e radhës është caktuar më 26 nëntor. Në këtë seancë pritet që SPAK të paraqesë kundërshtimet e tij, ndërsa gjykata do të vendosë edhe për vijimin e procesit, nëse do të procedohet me administrimin e provave shkresore apo me thirrjen e dëshmitarëve.





