Siguria e gazetarëve, kërkohen hetime efektive për parandalimin e dhunës dhe kërcënimeve ndaj medias
Në Korçë është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të medias dhe sistemit të drejtësisë, ku u diskutua mbi sigurinë e gazetarëve dhe garantimin e lirisë së shprehjes.
Në qendër të diskutimeve ishin dhuna, kërcënimet dhe intimidimi ndaj gazetarëve, fenomene që vijojnë të mbeten shqetësuese për lirinë e medias në Shqipëri.
Rastet e pengimit të punës së gazetarëve dhe incidentet e regjistruara gjatë protestave studentore të tetorit kanë rikthyer në vëmendje nevojën për hetime efektive dhe llogaridhënie institucionale.
“Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar mbi 55 raste të sulmeve të drejtpërdrejta ose të pengimit të ushtrimit të detyrës së gazetarëve. Kjo është shumë shqetësuese dhe ne mendojmë se Prokuroria ka një rol shumë të rëndësishëm për nisjen e hetimeve, qoftë përmes kallëzimeve, qoftë kryesisht (ex officio), në mënyrë që të mos normalizohet dhuna dhe pengimi i punës së gazetarëve”, tha Blerjana Bino, drejtoreshë e SCiDEV.
Një tjetër sfidë e evidentuar gjatë takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese dhe medias, veçanërisht në trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe garantimin e një komunikimi të qartë e transparent me gazetarët.
Në këtë kuadër, kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Gëzim Spahiu, vuri theksin te roli i institucioneve të drejtësisë në mbrojtjen e profesionistëve të medias dhe zbatimin e ligjit ndaj çdo rasti të dhunës apo intimidimit.
Ekspertët pjesëmarrës theksuan gjithashtu rëndësinë e zbatimit të standardeve europiane për lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve, duke vlerësuar krijimin dhe funksionimin e Shoqatës së Prokurorëve si një model pozitiv për vendin dhe rajonin.
“Kjo ngjarje ka rëndësi sepse po i ofron mbështetje Shoqatës së Prokurorëve, e cila, me mënyrën se si ka nisur funksionimin, ka gjasa të bëhet shembull jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”, u shpreh juristja Flutura Kusari.
Pjesëmarrësit në takim vlerësuan se forcimi i garancive ligjore, rritja e bashkëpunimit institucional dhe garantimi i hetimeve të shpejta e efektive mbeten elementë kyç për t’u siguruar gazetarëve mundësinë që të ushtrojnë profesionin e tyre pa presion, frikë apo kërcënime.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




