Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi nga Forumi i Paqes në Paris, ku shfaqet në shoqërinë e disa prej liderëve pjesëmarrës në këtë aktivitet ndërkombëtar.

Në foto, kreu i qeverisë shqiptare shihet duke biseduar me presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë ukrainas Volodymyr Zelensky. Në plan të parë të imazhit shfaqet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Foto e ditës”, shkruan Rama në përshkrimin e publikimit të tij.

Kryeministri shqiptar ishte pjesë e edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris, ku prezantoi një propozim me tre pika lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, i cili vijon të shkaktojë tensione dhe pasoja të rënda në Lindjen e Mesme.