
Armando Sadiku u nderua nga Federata Shqiptare e Futbollit para ndeshjes Shqipëri–Finlandë, në një ceremoni të veçantë lamtumire nga Kombëtarja. Sulmuesi kuqezi, i cili përfaqësoi Shqipërinë nga viti 2012 deri në vitin 2023, regjistroi 39 paraqitje dhe shënoi 12 gola. Emri i tij do të mbetet gjithmonë i lidhur me Euro 2016, ku realizoi golin historik ndaj Rumanisë, duke i dhuruar Shqipërisë fitoren e parë në një fazë finale të Kampionatit Europian. Për kontributin e dhënë ndër vite, Sadiku do të marrë duartrokitjet e tifozëve kuqezi në stadiumin “Air Albania”.