Garancia shtetërore e huas për bizneset dhe fermerët, qeveria miraton marrëveshjen e re tip me bankat

Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në vendimin e korrikut të vitit 2025 mbi skemën e veçantë të garancisë shtetërore të huas, e cila synon lehtësimin e aksesit në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe për fermerët e regjistruar e të pajisur me NIPT.
Sipas aktit zyrtar, të propozuar bashkërisht nga ministri i Financave, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, marrëveshja tip ekzistuese e skemës “zëvendësohet me marrëveshjen tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.
Në zbatim të këtij përditësimi, vendimi parashikon që “autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë shtetërore me bankat tregtare të nivelit të dytë, të përfshira në skemë, në përputhje me ndryshimet e miratuara”.
Për ndjekjen e procedurave të nevojshme dhe zbatimin e plotë të këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



