Flutura Açka “rikthehet” në vitin 1914, romani ndërthur faktet historike me elementet e letërsisë
Viti 1914 përmes misionit të parë holandez të paqes në Shqipëri dhe ngjarjeve të tjera historike janë në qendër të dy vëllimeve të para romanit më të ri të shkrimtares Flutura Açka, i cili u promovua në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër.
Autorja shpjegon arsyet që e shtynë të rikthehej në këtë periudhë të historisë shqiptare.
“Për shkak të jetës sime në Holandë dhe lidhjes që kam pasur me këtë vend, kam qenë shumë pranë burimeve holandeze. Ju e dini që në vitet 1913-1914 ka ekzistuar misioni i parë holandez i paqes. Tetëmbëdhjetë oficerë holandezë kanë ardhur në Shqipëri në funksion të ndërtimit të xhandarmërisë shqiptare në kohën e Princ Vidit. Kështu, bëhej fjalë për arkiva që ende nuk ishin hapur dhe, meqenëse dikush duhej t’i hulumtonte, pata fatin t’i shfrytëzoja këto arkiva për të sjellë një material autentik, të mbështetur në burime holandeze.”
Ndërthurja e fakteve historike me elementet e letërsisë është një nga karakteristikat kryesore të veprës “1914”. Përmes dy vëllimeve, autorja sjell një rrëfim letrar të mbështetur në ngjarje historike, duke ndërthurur dokumentimin e së kaluarës me krijimtarinë artistike.
“Vështirësia ishte sepse duhej të ishe shumë bindëse në rrëfimin e historisë. E dyta, duhej të kombinoje atë që ka qenë e vërteta historike me ato elemente që doje të shtoje për ta pasuruar dhe për ta bërë më tërheqëse. Mbase kjo ka qenë vështirësia më e madhe. Por ishte një proces magjepsës dhe ndoshta pikërisht kjo pjesë magjepsëse ka qenë ajo që më ka tërhequr ta mbaj një tekst kaq të gjatë. Megjithatë, ai i qëndron shumë afër së vërtetës historike.“
Romani “1914” u prezantua në prani të dashamirësve të librit, duke sjellë në vëmendje një periudhë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




