Lëvizje e papritur, Afrim Qendro shkarkohet nga drejtimi i IKMT-së
Afrim Qendro është shkarkuar nga detyra e Kryeinspektorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), vetëm pak muaj pasi ishte emëruar në krye të këtij institucioni.
Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë institucionit, ndërsa deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me vendimin dhe arsyet që kanë çuar në largimin e tij.
Qendro mori drejtimin e IKMT-së në shkurt të vitit 2026, duke zëvendësuar Dallëndyshe Bicin. Emërimi i tij erdhi pas largimit nga posti i Prefektit të Qarkut Tiranë.
Gjatë karrierës së tij në administratën publike, Afrim Qendro ka mbajtur disa poste të rëndësishme, mes tyre drejtimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe atë të Prefektit të Tiranës.
Shkarkimi i tij vjen si një lëvizje e papritur në drejtimin e një prej institucioneve përgjegjëse për kontrollin e territorit dhe zbatimin e ligjit në fushën e ndërtimeve.
Për momentin mbetet e paqartë se kush do ta zëvendësojë Qendron në krye të IKMT-së dhe nëse largimi i tij lidhet me ndonjë ndryshim më të gjerë në drejtimin e institucionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



