Rregulla të reja për mbrojtjen nga dhuna ndaj grave, përfshihen edhe dhuna në punë, politikë dhe online

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin e ri që përcakton përbërjen, funksionimin dhe detyrat e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit (MKR) pranë çdo bashkie për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ky akt, i propozuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, shfuqizon vendimin e vitit 2021 dhe zgjeron ndjeshëm fushën e mbrojtjes, duke përfshirë për herë të parë procedurat e dedikuara për dhunën në punë, dhunën në proceset zgjedhore e politikë, si dhe dhunën e lehtësuar nga teknologjia.
Struktura e re në çdo bashki dhe rritja e numrit të koordinatorëve
Sipas vendimit, MKR-ja funksionon pranë çdo bashkie përmes tre hallkave: Komitetit Drejtues (i kryesuar nga kryetari i bashkisë), Ekipit Teknik Ndërdisiplinor (ETN) dhe Koordinatorit Vendor (KV).
Për të shmangur mbingarkesën dhe për të garantuar mbulim efektiv, këshillat bashkiakë detyrohen të ngrenë njësi të dedikuara kundër dhunës bazuar në numrin e popullsisë:
- Bashkitë me mbi 100 000 banorë do të kenë jo më pak se 4 koordinatorë vendorë me kohë të plotë;
- Bashkitë me 80 000 deri në 100 000 banorë do të kenë jo më pak se 2 koordinatorë;
- Bashkitë me më pak se 80 000 banorë do të kenë të paktën 1 koordinator me kohë të plotë.
Koordinatorët vendorë do të ushtrojnë funksionet e tyre “pa mbivendosje me detyra të tjera” dhe do të mbështeten në terren nga Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit (NJVNR) dhe administratorët shoqërorë në njësitë administrative.
Shërbimet dhe reagimi emergjent brenda 2 orëve
Vendimi detyron bashkitë të garantojnë një “shportë shërbimesh” të standardizuar. Paketa minimale e emergjencës duhet të përfshijë detyrimisht strehim 72-orësh deri në lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes (UMM), paketë ushqimore e higjienike, veshmbathje, kujdes shëndetësor dhe transport të sigurt.
Për rastet e raportuara jashtë orarit zyrtar, bashkitë do të kenë një grafik mujor gatishmërie. Koordinatori vendor ose punonjësi social duhet të sigurojë ndjekjen fillestare të rastit “brenda kohës më të shpejtë të mundshme, por jo më vonë se 2 (dy) orë nga marrja e njoftimit”. Për më tepër, rastet e përsëritura të dhunës klasifikohen automatikisht si “raste me rrezik të lartë” dhe kërkojnë hartimin e një plani ndërhyrjeje emergjente me mbikëqyrje të shtuar.
Format e reja të dhunës dhe raportimi online
Një risi e rëndësishme e këtij vendimi është trajtimi i formave specifike të dhunës me bazë gjinore.
Dhuna dhe ngacmimi seksual në punë
Viktima mund ta raportojë rastin njëkohësisht pranë mekanizmave të brendshëm të punëdhënësit, Inspektoratit të Punës, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe gjykatës, duke përfituar ndihmë ligjore falas dhe orientim për ruajtjen e provave.
Dhuna në politikë dhe zgjedhje
Koordinatori vendor asistion viktimat për marrjen e urdhrave të mbrojtjes dhe raportimin pranë organeve zgjedhore, duke ftuar në mbledhjet e Komitetit Drejtues edhe drejtuesit e degëve vendore të partive politike përkatëse.
Dhuna digjitale dhe raportimi elektronik
Autoritetet angazhohen të zhvillojnë kanale të sigurta elektronike për denoncimin e dhunës, duke garantuar ruajtjen e anonimatit kur është në interesin më të lartë të viktimës.
Shtetasit e huaj dhe azilkërkuesit
Trajtimi i viktimave “nuk kushtëzohet nga statusi i tyre i qëndrimit” dhe autoritetet pezullojnë menjëherë çdo procedurë largimi nga vendi deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për azil apo leje qëndrimi.
Shmangia e viktimizimit dytësor dhe monitorimi i urdhrave të mbrojtjes
Për të mbrojtur gjendjen psikologjike të viktimës, vendimi ndalon intervistimin e përsëritur nga institucione të ndryshme, duke kërkuar “realizimin e intervistës të koordinuar dhe mundësisht vetëm një herë”, si dhe ndalon nxitjen e viktimës drejt zgjidhjeve me ndërmjetësim.
Koordinatori vendor do të monitorojë zbatimin e urdhrave të mbrojtjes çdo 60 ditë dhe do të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit, përmbarimin dhe Shërbimin e Provës (përfshirë mbikëqyrjen elektronike të dhunuesve) për largimin e dhunuesit nga banesa. Të gjitha të dhënat e rasteve do të hidhen dhe përditësohen në sistemin elektronik REVALB, nën masa të rrepta konfidencialiteti.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen bashkitë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



