Gazetari Artan Hoxha ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi hetimet e SPAK për vrasjen e Klodian Saliut dhe atentatin ku humbën jetën Vajdin Lama dhe Artan Arsi, duke vënë në diskutim disa prej rrethanave dhe provave të paraqitura në dosjen hetimore.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Hoxha u ndal fillimisht te atentati ndaj Klodian Saliut, duke vënë në dyshim versionin për personin që dyshohet se drejtonte automjetin nga i cili u qëllua ndaj tij.
Gazetari solli në vëmendje përmasat e makinës dhe fizikun e personit që pretendohet se ndodhej në timon, duke kujtuar edhe një bisedë të zhvilluar me të gjatë një interviste të mëparshme.
Ai ngriti pikëpyetje edhe për përdorimin e dy automatikëve gjatë atentatit, si dhe për rrethanat në të cilat u krye ekzekutimi, duke theksuar se versioni i paraqitur nga SPAK-u përbën një narrativë që, sipas tij, ka ende elemente të paqarta.
Një tjetër aspekt që Hoxha vuri në diskutim ishte koha e rifillimit të hetimeve, në vitin 2020, rreth 16 vite pas ngjarjes. Sipas gazetarit, në atë fazë mungonte një dëshmitar bashkëpunëtor bindës, i cili të kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e Saliut.
Hoxha u ndal edhe te përfshirja e FBI-së në hetimet fillestare, duke argumentuar se çështja nuk konsiderohej thjesht një përplasje mes grupeve kriminale shqiptare, por kishte një kompleksitet më të madh.
Sa i përket vrasjes së Vajdin Lamës dhe Artan Arsit, gazetari tha se ende nuk është krijuar një panoramë e plotë mbi organizatorët, financuesit dhe personat që kryen ekzekutimin. Ai komentoi gjithashtu pozicionin e Emiljano Shullazit në këtë dosje, duke dalluar mes dyshimeve dhe provave që duhet të vërtetojnë përfshirjen e tij.
Hoxha vuri në pikëpyetje edhe kërkesën përfundimtare të SPAK-ut për masën e dënimit, duke argumentuar se, nëse provohet përfshirja në vrasje, duhet të sqarohet edhe baza ligjore e dënimit të kërkuar.
Në përfundim, gazetari tha se një tablo më e qartë për çështjen pritet të krijohet pas vendimit të Gjykatës. Ai ngriti edhe dyshime për ndërhyrje politike në këtë proces, duke ia lidhur vërtetimin e pretendimit me mënyrën se si gjykata do të vlerësojë provat dhe rrethanat e dosjes.














