Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Gjykata Kushtetuese dorëzohet

Vata kërkon hetim nga SPAK për Bashkinë Mat: 6.1 mln lekë dëm ekonomik dhe mijëra prona të paregjistruara

Vata kërkon hetim nga SPAK për Bashkinë Mat: 6.1 mln lekë dëm ekonomik dhe mijëra prona të paregjistruara

21:56, 12/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, i ka bërë thirrje SPAK-ut të nisë verifikimet për administrimin e pasurive publike dhe tenderët e Bashkisë Mat, duke iu referuar gjetjeve të auditimit të KLSH-së. Sipas saj, në bashki rezultojnë 127.8 milionë lekë taksa dhe tarifa vendore të pambledhura, 57.8 milionë lekë detyrime të prapambetura dhe 6.1 milionë lekë dëm ekonomik nga punime të paguara, por të pakryera.

Në një reagim në Facebook, Vata ka kritikuar edhe reformën territoriale dhe vendimin për bashkimin e Bashkisë Klos me atë të Matit, duke kujtuar se 5,040 qytetarë të Klosit firmosën kundër shkrirjes së bashkisë së tyre. “Ndryshuan hartën, por lanë të paprekur keqqeverisjen!”, përfundon deputetja demokrate.

Postimi i plotë:

I bëj thirrje publike SPAK-ut të verifikojë administrimin e pasurive publike të Bashkisë Mat, statusin juridik, përdorimin dhe çdo tjetërsim të mundshëm të tyre, si dhe përgjegjësitë e zyrtarëve përkatës!

Të hetohen gjithashtu tenderët me shkelje dhe pagesat për punime të pakryera. Të verifikohet nëse pas këtyre gjetjeve ka vepra penale dhe kush është përgjegjës.

Pasuria publike nuk është pronë private e kryetarëve të bashkive dhe as plaçkë për t’u ndarë mes njerëzve të pushtetit!

Shkrinë Bashkinë Klos për ta bashkuar me Bashkinë Mat, ndërkohë që vetë Bashkia Mat është zhytur në probleme të rënda financiare dhe administrative!

Bashkia Mat, sipas të dhënave të publikuara nga auditimi i KLSH-së, rezulton me:

127.8 milionë lekë taksa dhe tarifa vendore të pambledhura.

57.8 milionë lekë detyrime të prapambetura.

6.1 milionë lekë dëm ekonomik nga punime të paguara, por të pakryera.

Mospërputhje prej qindra milionë lekësh në pasqyrat financiare dhe mijëra prona publike të paregjistruara.

Por pas këtyre shifrave janë njerëzit!

Janë familjet që mezi përballojnë koston e jetesës, pensionistët që jetojnë me të ardhura minimale, fermerët që mezi mbajnë ekonominë familjare dhe bizneset e vogla që luftojnë çdo ditë për të mbajtur dyert hapur.

Në vend që pushteti vendor të krijojë kushte për zhvillimin ekonomik, biznesit po i merret fryma nga barra e taksave dhe tarifave. Në vend që të ndihmohet familja, i shtohen detyrimet. Ndërsa bashkia nuk arrin as të administrojë siç duhet të ardhurat që vetë planifikon të mbledhë.

Kjo është mënyra se si administrohet Bashkia Mat!

Dhe në vend që të kërkohet përgjegjësi për këtë situatë, qeveria e Edi Ramës vendosi t’i japë kësaj administrate edhe territorin e Bashkisë Klos!

5,040 qytetarë të Klosit firmosën kundër shkrirjes së bashkisë së tyre. Nuk u dëgjuan.

Kjo është reforma territoriale e socialistëve,më shumë territor për të administruar, por asnjë garanci për më shumë shërbime, zhvillim apo mirëqeverisje.

Qytetarët e Matit dhe të Klosit nuk kanë nevojë për një hartë të re politike. Kanë nevojë për punë, investime, taksa të përballueshme dhe një pushtet vendor që u jep llogari.

Premtuan më shumë para dhe më shumë investime. Sot kemi detyrime të prapambetura, taksa të pambledhura dhe punime të paguara, por të pakryera.

Ndryshuan hartën, por lanë të paprekur keqqeverisjen!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco