Seanca e parë gjyqësore ndaj ish-profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi, është caktuar të mbahet të premten, më 13 nëntor, duke filluar nga ora 09:30.
Krasniqi akuzohet për veprën penale “Ngacmimi seksual”, ndërsa në aktakuzë përfshihen deklaratat e katër studenteve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilat në këtë proces kanë statusin e të dëmtuarave dhe dëshmitareve.
Njëra nga studentet, duke rrëfyer pretendimet e saj lidhur me sjelljen e ish-profesorit, ka deklaruar se ai i kishte thënë: “M’ke thonë ‘ko me t’bo masazh’”.
Sipas Prokurorisë, deklaratat e katër studenteve përputhen me njëra-tjetrën dhe përbëjnë disa nga provat mbi të cilat mbështetet aktakuza ndaj Krasniqit.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ishte paraparë të niste rreth dy muaj më parë, por nëntë seancat e planifikuara paraprakisht janë shtyrë njëra pas tjetrës.
Seanca e së premtes pritet të shënojë fillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-profesorit.