Pse po e mban Erion Veliaj peng Bashkinë? Ndreca: Nuk e shkaktoi ai dramën

Pse nuk dorëhiqet Erion Veliaj, por po mban peng Bashkinë e Tiranës? Kjo ishte një tjetër pyetje që u bë këtë të enjte në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
Për avokatin e Veliajt, Plarent Ndreca, nuk është zoti Veliaj ai që po mban peng Tiranën, por ndërhyrjet antikushtetuese.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pse nuk dorëhiqet Veliaj dhe mban peng Bashkinë e Tiranës? Në cilin vend demokratik bashkia drejtohet nga burgu? Një nga arsyet që mbahet Veliaj në burg është se mund të prishë provat?
Ndreca: Në cilin vend demokratik të botës arrestohet kryetari i bashkisë në detyrë?
Rakipi: Në Turqi.
Lala: Në Michigan.
Rakipi: Nëse krahasojmë Stambollin…
Ndreca: Unë thashë vend demokratik.
Rakipi: Hiqe Turqinë.
Ndreca: Më thuaj një vend tjetër.
Lala: Nëse ka vepër penale, patjetër, mo!
Ndreca: Në cilin vend mbahesh në detyrë për vepra penale?
Lala: Kemi kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut.
Bushati: Me këtë që i bëni ju këtij, do t’u vijë njerëzve gjynah për Veliajn.
Hila: Në Kampanja kemi tre raste.
Lala: Kemi Michiganin. Nëse ka dyshime për vepër penale, arrestohet.
Rakipi: Pafund ka.
Hila: Brindizi, Akuila.
Ndreca: Duhen parë rastet. Një kryetar bashkie që është hetuar për më shumë se një vit e gjysmë nuk mund të jetë me masë arresti me burg kur është në detyrë.
Lala: Sepse kur është në detyrë, prish provat.
Ndreca: Është çështja e proporcionalitetit, që e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë Komisioni i Venecias. Nga njëra anë duhet mbrojtur hetimi, nga ana tjetër zgjedhësit, ata që kanë zgjedhur. Ky proporcionalitet duhet ruajtur, që të mos cenohet puna në Bashkinë e Tiranës.
Rakipi: Ta drejtojmë kryeqytetin nga burgu, thua?
Ndreca: Nuk është shqyrtuar nga gjykatat.
Lala: Po është shqyrtuar, pra. Zoti Veliaj, duke qenë në detyrë, thotë gjykata, duhet të rrijë në paraburgim. SPAK-u thotë se ka edhe një çështje tjetër penale të hapur dhe mund të prishë provat.
Rakipi: Ju e keni konsultuar këtë pjesë me zotin Veliaj?
Ndreca: Ai u gjend para një fakti të kryer, pa i thënë askush dhe pa bërë asnjë mbrojtje. Shkoi në gjykatë për të shqyrtuar këtë histori. Nuk kam dyshim të arsyeshëm. E delegoi firmën e tij, 18 muaj nuk e kishte firmën, iu kërkua të shkarkohej në mënyrë antikushtetuese. Nuk mund ta jepte dorëheqjen, sepse është i zgjedhur. Ka një nen tjetër në Kodin e Procedurës Penale që e ndalon pezullimin nga detyra të organeve të zgjedhura.
Rakipi: Po vetë Veliaj t’i japë fund kësaj drame?
Ndreca: Nuk është Veliaj shkaktari i kësaj drame. Ndërhyrjet antikushtetuese janë ato që e mbajnë peng.




