Shqipëria mposht Finlandën 2-0, Muçi dhe Manaj i japin fitoren kuqezinjve në “Air Albania” (VIDEO)

12 Nëntor 2026 | 21:55

Shqipëria ka fituar me rezultatin e pastër 2-0 përballë Finlandës, në ndeshjen e vlefshme për Grupin C1 të Ligës së Kombeve, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Kuqezinjtë kanë siguruar tri pikët falë golave të Ernest Muçit dhe Rey Manajt, nga një në secilën pjesë të lojës.

Ernest Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 35-të të pjesës së parë, me një goditje spektakolare nga jashtë zonës. Sulmuesi kontrolloi topin dhe goditi me të jashtmen, duke e dërguar në cepin e portës finlandeze.

Në minutën e 50-të, Shqipëria dyfishoi avantazhin me Rey Manajn. Sulmuesi u shkëput në qendër të zonës mes dy mbrojtësve kundërshtarë dhe goditi saktë me kokë, pas një krosimi të Elseid Hysajt.

Një moment i rëndësishëm i takimit ishte minuta e 67-të, kur Finlanda mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të marrë nga Tenho për një faull të rëndë ndaj Muçit.

Në minutat e mbetura, kuqezinjtë administruan avantazhin, ndërsa Daku arriti të dërgonte topin në rrjetë në minutën e 83-të, por goli u anulua pasi topi kishte kaluar më parë vijën fundore.

Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në krye të Grupit C1 të Ligës së Kombeve me 12 pikë. Në vendin e dytë renditet Bjellorusia me 10 pikë, e ndjekur nga Finlanda me 7 pikë, ndërsa San Marino mbyll klasifikimin pa asnjë pikë.

Standings provided by Sofascore

Zhvillimet minutë pas minute

90’+ Përfundon ndeshja në “Air Albania”. Shqipëria fiton 2-0 ndaj Finlandës me golat e Ernest Muçit dhe Rey Manajt.

84’ Asllani provon nga jashtë zonës, por topi kalon mbi traversë.

83’ Daku dërgon topin në rrjetë pas një asistimi të Hoxhës, por goli anulohet pasi topi kishte kaluar më parë vijën fundore.

82’ Hoxha dhe Hasa hyjnë në fushë në vend të Muçit dhe Laçit në radhët e kuqezinjve.

78’ Suhoinen ka mundësinë të gjuajë drejt portës, por devijimi i tij pranë Berishës përfundon jashtë.

77’ Jensen dhe Marhiev lënë fushën e lojës për Suhoinen dhe Ivanov.

71’ Hirilainen merr vendin e Keskinen në radhët e Finlandës.

70’ Daku dhe Shehu hyjnë në fushë në vend të Manajt dhe Ramadanit.

67’ KARTON I KUQ! Finlanda mbetet me një lojtar më pak. Tenho ndëshkohet me karton të kuq pas një faulli të rëndë ndaj Muçit.

59’ Ramadani ndëshkohet me karton të verdhë.

58’ Antman dhe Stani lënë fushën e lojës për t’u zëvendësuar nga Pohjanpalo dhe Mietinen.

54’ Manaj ka një tjetër mundësi të artë pas një rrotullimi dhe goditjeje brenda zonës, por nuk arrin të gjejë portën e Hradecky.

50’ GOL SHQIPËRIA! Rey Manaj dyfishon avantazhin e kuqezinjve. Sulmuesi kërcen në qendër të zonës mes dy mbrojtësve finlandezë dhe godet saktë me kokë, pas krosimit të Elseid Hysajt. Shqipëria kryeson 2-0.

46’ Nis pjesa e dytë pa ndryshime në formacionet e të dyja skuadrave.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë në “Air Albania”. Shqipëria kryeson 1-0 ndaj Finlandës falë golit të Ernest Muçit.

45’ Akordohet një minutë shtesë.

45’ Marhiev ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Pilos.

42’ Finlanda i afrohet golit me Tenho, i cili godet me kokë pas një goditjeje dënimi, por Etrit Berisha reagon në mënyrë fantastike.

37’ Finlanda fiton një goditje dënimi, nga e cila Tenho shfaqet pranë portës, por nuk arrin të devijojë topin drejt rrjetës.

35’ GOL SHQIPËRIA! Ernest Muçi realizon një gol spektakolar. Një top i larguar me kokë nga mbrojtja finlandeze përfundon në këmbët e Muçit jashtë zonës. Sulmuesi godet menjëherë me të jashtmen dhe e dërgon topin në cepin e portës. Shqipëria kalon në avantazh 1-0.

33’ Pas zhvillimit të një goditjeje dënimi, topi shkon te Asllani, i cili provon me të majtën, por Hradecky i mohon golin.

32’ Valta ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Hysajt.

30’ Muçi provon me një goditje nga e majta, por sfera përfundon në duart e Hradecky.

22’ Asllani tenton sërish nga jashtë zonës. Portieri finlandez grushton topin, ndërsa mbrojtja e Finlandës largon më pas rrezikun.

21’ Muçi provon nga jashtë zonës pas një aksioni të mirë të kuqezinjve, por Hradecky pret në pozicion.

17’ Dy skuadrat janë shumë të hapura në fushë, duke lënë hapësira veprimi në qendër.

13’ Një ndërhyrje e vëmendshme e Pilos në zonë shmang rrezikun para portës së Etrit Berishës.

11’ Hysaj ka hapësirë për të harkuar, por tentativa e tij devijohet në goditje këndi.

10’ Një harkim nga e djathta gjen Kallman në zonë. Sulmuesi finlandez gjuan me kokë, por nuk arrin të gjejë portën kuqezi.

6’ Asllani provon të gjuajë nga e majta, por tentativa e tij kalon mbi traversën e portës së Hradecky.

1’ Shqipëria del menjëherë në sulm me Pilo nga krahu i majtë. Pasimi i tij gjen Laçin, por mesfushori e dërgon topin jashtë kuadratit.

1’ Nis sfida Shqipëri-Finlandë në stadiumin “Air Albania”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Qeveria miraton ndryshimet në ligjin për sigurinë kibernetike, ja çfarë parashikohet dhe roli i SHISH-it

Qeveria ka miratuar propozimin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për sigurinë kibernetike, duke parashikuar krijimin e një grupi të posaçëm për inteligjencën kibernetike,...
21:12 | 12/11/2026

Shqipëria përballë Finlandës, publikohen formacionet zyrtare

Kombëtarja shqiptare zbret mbrëmjen e së enjtes në fushën e lojës përballë Finlandës, në një sfidë me rëndësi të veçantë për ecurinë në Grupin C1...
19:38 | 12/11/2026

Rritet çmimi i naftës dhe benzinës, Bordi i Transparencës përcakton tarifat e reja

Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimit të naftës dhe benzinës, krahasuar me vendimin e një dite më parë. Sipas vendimit të ri, një...
18:05 | 12/11/2026