Spanja siguron çerekfinalet pas suksesit në Pragë, ndërsa Anglia mund Kroacinë në Wembley dhe mban gjallë garën për vendin e parë. Të dielën, dy rivalët përballen në një finale të parakohshme për kreun e grupit A3.

Grupi A3 i Nations League po shkon drejt një finaleje të madhe. Spanja dhe Anglia fituan ndeshjet e tyre të së enjtes, duke e lënë gjithçka për t’u vendosur në përballjen direkte të së dielës në Madrid. Kampionët e Europës bënë detyrën në transfertën ndaj Çekisë, duke triumfuar 0-2. Në mungesë të Lamine Yamalit, i cili nuk ishte i disponueshëm për shkak të një dëmtimi në gju, spanjollët gjetën golin e avantazhit në minutën e 39-të, kur Álex Baena u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë, goli i Yeremy Pinos u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje, ndërsa Çekia mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ladislav Krejçit në minutën e 72-të. Në kohën shtesë, Marc Pubill vulosi fitoren 0-2. Një sukses që i çon spanjollët në kuotën e 15 pikëve dhe u siguron matematikisht kualifikimin në çerekfinale.

Më e vështirë ishte detyra për Anglinë, që në Wembley arriti të mposhtë Kroacinë 2-1. Morgan Rogers zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t, por miqtë reaguan dhe barazuan me Suçiçin në minutën e 59-të. Vetëm pesë minuta më vonë, Harry Kane riktheu avantazhin e anglezëve, duke realizuar nga pika e penalltisë. Anglia ruajti rezultatin deri në fund, duke marrë tri pikë të rëndësishme dhe duke shkuar në 12 pikë.

Kështu, diferenca mes dy skuadrave mbetet vetëm tri pikë. Të dielën, më 15 nëntor, në stadiumin Metropolitano të Madridit, Spanja dhe Anglia do të përballen në një sfidë që premton spektakël dhe që do të përcaktojë renditjen përfundimtare në krye të grupit A3. Anglisë i duhet fitorja për të barazuar me pikë rivalen, ndërsa Spanjës i mjafton avantazhi aktual për të ruajtur vendin e parë.

Top Channel