Katërmbëdhjetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një shofer kamioni humbi kontrollin dhe goditi disa automjete në Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha ministria e brendshme. Në aksident u përfshinë 23 automjete, përfshirë pesë kamionë, pak para mesnatës, shtoi ministria në një deklaratë. Përplasja bëri që "kamioni të merrte flakë dhe flakët të përhapeshin në disa automjete të tjera, duke rezultuar në një humbje të madhe jetësh", sqaruan autoritetet. Tridhjetë persona u plagosën dhe u dërguan në spital, tha policia e Fujairah, duke shtuar se po përdoren testet e ADN-së për të identifikuar trupat e viktimave. Disa prej tyre ishin shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, shtoi policia. Konsullata indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe tha se qytetarë të saj ishin gjithashtu midis të ndjerëve dhe tha se u është drejtuar "familjeve të prekura" dhe po punon me autoritetet lokale për të ofruar ndihmë dhe mbështetje. Zyrtarët thanë se kamioni u përplas me një automjet tjetër përpara se të përmbysej dhe të godiste mjetet e tjera që ishin ndalur për shkak të "trafikut" në rrugë. Shërbimet e emergjencës, përfshirë policinë dhe ekipet e mbrojtjes civile, nxituan në vendngjarje për të shuar zjarrin, dhe për të transferuar të plagosurit në spitale.