Goli ndaj Finlandës dhe një rrëfim emocional, Muçi: Kam vuajtur shumë
Trajneri kuqezi vlerëson lojën dhe fitoren 2-0 ndaj Finlandës, ndalet te përmirësimi i lojtarëve dhe roli i ri i Mitajt. Maran veçon edhe Muçin: “Ndihet i rëndësishëm për skuadrën, ndoshta kishte nevojë për këtë”.
Rolando Maran nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Finlandës. Përtej tri pikëve, trajneri italian vlerësoi edhe paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se kuqezinjtë kanë bërë përmirësime të dukshme dhe se kontributi ka ardhur nga shumë futbollistë. “Duhet ta shijojmë fitoren tani pas ndeshjes, nesër do të fokusohemi te Bjellorusia. Jam i lumtur sepse kemi kënaqur tifozët që u gëzuan për ne. Jam i lumtur jo vetëm për rezultatin, por edhe për lojën”, u shpreh Maran.
Tekniku u ndal te mënyra se si Shqipëria duhet të menaxhojë fazën mbrojtëse dhe të shfrytëzojë karakteristikat e futbollistëve në varësi të kundërshtarit. “Në momentet që jemi duke mbrojtur, duhet të përdorim karakteristikat, që të jemi efikasë. Duhet t’i përshtatemi edhe karakteristikave të kundërshtarit”. Maran vlerësoi paraqitjet individuale, duke përmendur veçanërisht Stavro Pilon, por edhe Elseid Hysajn dhe Mario Mitajn, i cili po aktivizohet në një rol të ri. “Nuk është vetëm Pilo, por edhe lojtarët e tjerë që kanë bërë mirë. Po ashtu Hysaj në krahun tjetër, apo edhe Mitaj që po bën një rol që nuk e ka bërë më parë. Lojtarë të ndryshëm kanë bërë paraqitje shumë të mira”.
Trajneri italian kërkoi që skuadra të mos e ulë ritmin gjatë ndeshjeve, duke kujtuar se pikërisht kjo sjellje e ka vënë Shqipërinë në vështirësi edhe në të kaluarën. “Ne nuk duhet të ulim ritmin. Duhet të vëmë gjithmonë në vështirësi kundërshtarin. Nuk duhet të lëmë hapësira. Kur ulim ritmin, kjo na ka vënë në vështirësi. E kemi parë edhe në të kaluarën”. Duke analizuar ndeshjen me Finlandën, Maran theksoi se kuqezinjtë krijuan më shumë raste dhe arritën të përmirësonin lojën në pjesën e dytë.
“Ishte një ndeshje e ekuilibruar nga të dyja skuadrat. Besoj se kemi pasur shumë gjuajtje dhe kemi prekur shumë topa në zonën kundërshtare. Këtë e kemi përmirësuar në pjesën e dytë. Kam folur me djemtë. Duhet të rikuperohemi sepse kemi një ndeshje të rëndësishme”. Në fund, Maran foli edhe për Ernest Muçin, autorin e një goli spektakolar, duke vlerësuar rëndësinë e tij në lojën e skuadrës dhe aftësinë për të luajtur mes linjave. “Sa i përket golit të Muçit, gjithmonë zgjedh rëndësinë dhe jo bukurinë e golit. Muçi i ka pjesë të tij golat e bukur. Muçi ndihet i rëndësishëm për skuadrën. Ndoshta ka pasur nevojë për këtë. Laçi ka gjetur konotacionin e duhur të ndeshjes. Na duhej një lojtar që luan mes linjave për të vënë në vështirësi kundërshtarin dhe e ka bërë më së miri. Nuk menduam për ndeshjen tjetër, por u futëm për të bërë lojën tonë”.
Shqipëria tashmë e ka vëmendjen te sfida e radhës ndaj Bjellorusisë, ku synimi është të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe të hedhë një tjetër hap drejt sigurimit të vendit të parë në grupin C1.
Top Channel