Zbulohet se kush janë ministrat që mund të dorëhiqen për të kandiduar për kryebashkiakë
Asambleja e Partisë Socialiste pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme politike, me ndryshime të mundshme në drejtimin e strukturave partiake në qarqe, por edhe në përbërjen e kabinetit qeveritar. Në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, kryeministri Edi Rama duket se po shqyrton një riorganizim të gjerë të forcave socialiste, me synimin për të konsoliduar pozitat elektorale të mazhorancës.
Sipas raportimeve në media, një prej skenarëve që pritet të diskutohet është dyfishimi i numrit të drejtuesve politikë në qarqe. Nga 12 që janë aktualisht, skema e re mund të parashikojë 24 drejtues, duke zgjeruar kështu kontrollin politik dhe organizimin e strukturave të PS-së në terren.
Por vëmendjen më të madhe e kanë tërhequr kandidaturat e mundshme për dy prej bashkive më të rëndësishme të vendit: Tiranën dhe Shkodrën.
Ervin Demo për Tiranën, Enea Karakaçi për Shkodrën
Në skenarët që po qarkullojnë për zgjedhjet vendore, Ervin Demo përmendet si një prej emrave të mundshëm për të garuar për Bashkinë e Tiranës, ndërsa për Shkodrën në diskutim është Enea Karakaçi, i cili mund të përballet me Kliti Hotin.
Përfshirja e këtyre emrave në garën elektorale mund të shoqërohet edhe me ndryshime në qeveri. Sipas informacioneve të raportuara, dy ministra mund të lënë postet e tyre për t’u përqendruar te kandidimi për kryetarë bashkie.
Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për kandidaturat apo për largimin e mundshëm të ministrave, por ky skenar pritet të jetë ndër çështjet që do të marrë vëmendje gjatë diskutimeve në Asamble.
Veliaj, çështja që Rama mund të shmangë në Asamble
Një tjetër pikë delikate është qëndrimi që kryeministri do të mbajë për Erion Veliajn. Brenda Partisë Socialiste pritet me interes të kuptohet nëse Rama do të flasë drejtpërdrejt për këtë çështje, në një kohë kur janë artikuluar qëndrime të ndryshme nga figura të mazhorancës.
Një prej skenarëve është që qëndrimi i Veliajt të përcillet përmes një letre drejtuar Asamblesë, ku mund të përfshihen pretendimet dhe mesazhet e tij për zhvillimet e fundit.
Edhe mundësia e përjashtimeve nga partia mbetet në diskutim, megjithatë një përshkallëzim i mëtejshëm i përplasjes me Veliajn mund të mos jetë në interesin politik të Ramës në këtë moment.
Asambleja e PS-së pritet të mbahet në orën 10:30 në Gjirin e Lalëzit. Përtej riorganizimit të drejtuesve politikë dhe kandidaturave për bashkitë, vendimet që do të dalin prej saj mund të sinjalizojnë edhe drejtimin që do të marrë qeveria në muajt përpara zgjedhjeve.
Me garën e 9 majit 2027 në horizont, Rama synon të forcojë strukturat socialiste, por mbetet për t’u parë nëse ky proces do të shoqërohet me sakrifica politike brenda kabinetit dhe me një qëndrim të qartë për përplasjet që kanë tronditur së fundmi mazhorancën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



