Pio Esposito është në një formë të jashtëzakonshme. Me dygolëshin e shënuar ndaj Francës në Nations League, sulmuesi italian ka arritur në kuotën e nëntë golave në 14 paraqitje me kombëtaren.
Në moshën 21-vjeçare e 137-ditore, ai bëhet lojtari i dytë më i ri që shënon të paktën tetë gola në 14 ndeshjet e tij të para për Italinë, duke ndjekur Giuseppe Meazza, i cili e kishte arritur këtë në vitin 1931.
Sulmuesi i Inter u shpreh tejet i kënaqur: “Jam shumë i lumtur, sepse kjo është një fanellë shumë e rëndësishme, ajo që të gjithë ëndërrojmë ta veshim që kur jemi fëmijë. Jam i kënaqur me atë që po bëj unë, si dhe me atë që po bëjmë si ekip”.
“Sa i përket lotëve, ajo penallti solli një ndjesi gëzimi për mbylljen e ndeshjes dhe për kompensimin e penalltisë që vëllai im humbi më herët. Seba di t’i godasë penalltitë, por kushdo mund të gabojë. Unë mora përsipër të dytën dhe kështu shkoi,” shtoi ai.
“Kur shkova te pika e bardhë, nuk mund të mos mendoja për ndeshjen kundër Bosnjës, por nuk mund të fshihesha përgjithmonë. Penalltitë mund të humbasin dhe duhet të kesh guximin të dalësh përpara e t’i godasësh”, tha Pio Esposito.
“Po punojmë me qetësi. Që kur erdhi trajneri, kemi filluar të gjejmë ritmin tonë duke nisur që nga faza fillestare e përshtatjes kundër Belgjikës. Jemi një grup i ri, por plot entuziazëm. Duhet kohë, ndaj thjesht duhet të vazhdojmë kështu“, tha ai.







