Zyrtari i Arkivit dyshohet se konfirmoi dokument të falsifikuar për t’i mundësuar një personi pronësinë mbi tri parcela në Prishtinë -detajet nga dosja e Prokurorisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtari i Arkivit dyshohet se konfirmoi dokument të falsifikuar për t’i mundësuar një personi pronësinë mbi tri parcela në Prishtinë -detajet nga dosja e Prokurorisë

    Insajderi
    13 November 2026 - 08:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një zyrtar i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke konfirmuar në mënyrë të pavërtetë autenticitetin e një dokumenti, i cili dyshohet se është përdorur për përfitimin e kundërligjshëm të tri parcelave në Prishtinë.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit, i dyshuari Mehdi Bahtiri, i cili në vitin 2023 ishte përgjegjës për arkiv në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se ka lëshuar një konfirmim për autenticitetin e një dokumenti që nuk përputhej me dokumentacionin origjinal të ruajtur në arkiv.

    Rasti lidhet me një dokument të paraqitur nga Nebojsha Janjić në procedurën e regjistrimit të pronësisë. Më 15 shkurt 2023, Drejtoria për Kadastër e Komunës së Prishtinës kishte kërkuar verifikimin e autenticitetit të këtij dokumenti.

    Sipas Prokurorisë, më 24 shkurt 2023, Bahtiri kishte lëshuar një shkresë përmes së cilës kishte konfirmuar autenticitetin e dokumentit, ndonëse ai nuk ishte identik me dokumentacionin origjinal që gjendej në Arkivin Ndërkomunal të Prishtinës.

    Dyshimet janë se përmes këtij konfirmimi të pavërtetë, Janjićit i është mundësuar të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme të drejta pronësore mbi tri parcela në Komunën e Prishtinës.

    Bëhet fjalë për parcelat me numrat:

    • P-71914050-00153-31
    • P-71914050-00153-32
    • P-71914059-01640-3

    Prokuroria thotë se verifikimet e kryera më 21 korrik 2026 në Arkivin Ndërkomunal të Prishtinës kanë treguar se në dosjen përkatëse nuk ekzistonte dokumentacioni që do ta mbështeste konfirmimin e dhënë nga zyrtari.

    Për këto veprime, Mehdi Bahtiri dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Nebojsha Janjić dyshohet për “Falsifikim të dokumenteve”.

    Në bazë të provave të mbledhura, Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj Bahtirit, duke vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe rrezik për pengimin e procedurës penale.

    Mehdi Bahtiri është ndaluar më 11 nëntor 2026, ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit është parashtruar nga prokurori Bashkim Zeqaj më 12 nëntor 2026.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark