Kongresi amerikan ka kërkuar dëshminë e drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe sekretarit të Tregtisë, Howard Lutnick, lidhur me dyshimet për transferimin e teknologjisë amerikane drejt Kinës dhe skandalin që ka përfshirë gjigantin e mikroçipave. Kryetari i Komitetit Bankar të Senatit, republikani Tim Scott, deklaroi se zhvillimet e fundit ngrenë shqetësime serioze për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e teknologjive të ndjeshme amerikane. Ai kërkoi që Huang dhe Lutnick të japin shpjegime para ligjvënësve.

Çështja lidhet edhe me Alice Huang, gruan e dyshuar për lidhje me spiunazhin kinez, e cila kishte pasur marrëdhënie biznesi me kompaninë Megaspeed dhe dyshohet se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me drejtuesin e Nvidia-s. Sipas raportimeve të Axios, Lutnick ka penguar në disa raste masa kundër kompanive që dyshohet se i kanë ofruar Kinës çipa Nvidia. Mes tyre përmendet edhe Megaspeed. Po sipas këtyre raportimeve, sekretari i Tregtisë ishte informuar nga agjencitë amerikane të inteligjencës për lidhjet e Huang me gruan e dyshuar për spiunazh, por nuk kishte ndërmarrë masa për kontrollet e eksporteve.

Ndërkohë, Jensen Huang ka pranuar të dëshmojë me dyer të mbyllura para Kongresit deri më 26 nëntor, ndërsa edhe Lutnick ka shprehur gatishmërinë për t’u paraqitur vullnetarisht për t’iu përgjigjur pyetjeve të ligjvënësve. Zhvillimet kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Nvidia-s ranë deri në 13% në hapje të Wall Street, përpara se ta kufizonin humbjen në 4.3% në mbyllje të sesionit. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi marrëdhëniet mes kompanive amerikane të teknologjisë dhe Kinës, si dhe mbi përgjegjësinë e zyrtarëve të administratës amerikane në kontrollin e eksporteve të mikroçipave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: