E premte, 13 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Kuvendi drejt rivotimit të Ligjit për Specialen. Pse pa ndryshime?

Më 13 nëntor, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë për të njëjtin ligj që presidentja Justina Shiroka Pula ia ktheu për rishqyrtim në tetor.

Nëse të paktën 61 deputetë votojnë pro, vetoja rrëzohet dhe ligji konsiderohet i shpallur.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila e propozoi si ligjin, ashtu edhe kthimin në Kuvend nga presidentja, është zotuar se ndryshimet në të do të miratohen brenda dy javësh.

Pse po votohet i njëjti tekst?
Vetë PDK-ja i kërkoi presidentes në tetor ta kthente ligjin në Kuvend. Atëherë, partia tha se donte të plotësonte disa dispozita dhe të adresonte çështjet që mund të pengonin zbatimin e tij. Më 12 nëntor, ligji u dërgua për votim pa ndryshime. Sipas PDK-së, meqë nuk pati pajtim me shumicën parlamentare nëse ligji mund të ndryshohej gjatë rishqyrtimit, partia vendosi t’i kërkojë Kuvendit miratimin e tekstit të tetorit dhe t’i propozojë amendamentet përmes një nisme të re pasi ligji të hyjë në fuqi.

Reklamë

Lëvizja Vetëvendosje, e cila e votoi ligjin më 6 tetor, pritet ta mbështesë edhe këtë herë, ndonëse ka shprehur rezerva për efektet e tij.

Kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, i tha REL-it se PDK-ja e ka shtyrë nismën përpara pa analizën e nevojshme juridike dhe pa konsultime të mjaftueshme institucionale. Ai e përshkroi ritmin e procesit si “një nguti të pashpjegueshme” dhe vuri në dyshim nëse teksti që po shkon në rivotim mund të zbatohet.

“Kam frikë që ligji siç është tani dhe siç ka qenë më 6 tetor, nuk mund të implementohet”, tha ai. Pavarësisht këtyre rezervave, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, konfirmoi për REL se partia do ta votojë sërish ligjin.

Vullnet Bugaqku, njohës i çështjeve juridike nga Instituti Demokratik i Kosovës, vë në pikëpyetje rendin e hapave që po ndjek Kuvendi.

“Pse duhet ta rrëzosh veton? Nëse vetoja thotë duhet ta përmirësoni ligjin? Pse po rrëzohet vetoja për ta lënë ligjin në fuqi që në fund ta hapësh një proces të ri për rishikimin e këtij ligji?”, pyet Bugaqku në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Çfarë do të hynte në fuqi?
Teksti i miratuar në tetor do t’ia ngushtonte kompetencat Gjykatës Speciale në Hagë. Ai e lidh juridiksionin e saj me veprat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet për trafikim organesh në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Po ashtu, e kufizon periudhën që mbulon gjykata nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 dhe parasheh që rastet jashtë juridiksionit të saj të kalojnë në gjykatat e Kosovës.

Sipas tekstit, trupat gjykues do të duhej ta rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditësh nga hyrja e ligjit në fuqi. Ende është e paqartë se cilat dispozita synon t’i ndryshojë PDK-ja.

A mund të miratohen ndryshimet brenda dy javësh?
Bugaqku i tha REL-it se procedura parlamentare, “nëse shkon sipas procedurës së rregullt, merr kohë deri në tre muaj”, meqë miratimi me procedurë të përshpejtuar kërkon përmbushjen e disa kushteve, sipas Rregullores së Kuvendit.

Neni 85 i Rregullores së Kuvendit lejon shqyrtim të përshpejtuar, me kërkesë të Qeverisë ose të së paku 30 deputetëve, për projektligje që lidhen me sigurinë kombëtare, shëndetin publik ose çështjet buxhetore e financiare. Shqyrtimi i parë bëhet së paku 48 orë pas shpërndarjes së materialit, ndërsa i dyti së paku 72 orë pas miratimit në parim. Neni 86 parasheh procedurë urgjente për projektligje që lidhen me masat gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose emergjente.

Sipas nenit 123, së paku gjashtë deputetë mund të propozojnë shmangien nga afatet procedurale. Për miratim duhen votat e dy të tretave të deputetëve të pranishëm dhe shmangia duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Nëse Kuvendi kërkon t’i shmangë afatet, Bugaqku thotë se “duhet ta arsyetojnë sipas kritereve të rregullores”. Ai paralajmëron se tejkalimi i këtyre kritereve “mund të hap rast dhe mundësi që dikush ta kontestojë këtë rast”, duke përmendur Avokatin e Popullit dhe palët e tjera të autorizuara.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të kontaktonte ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, për të marrë një qëndrim lidhur me këtë proces, por nuk mori përgjigje.

Çfarë po diskuton BE-ja?
Për Bugaqkun, konsultimi me Këshillin e Bashkimit Evropian duhet të jetë hapi i parë në hartimin e ndryshimeve të reja. Sipas tij, miratimi i amendamenteve pa konsultim do të shkelte zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe detyrimin që, sipas interpretimit të tij, buron nga neni 162 i Kushtetutës.

Nëse ligji hyn në fuqi, përmbajtja e amendamenteve dhe rezultati i bisedimeve me BE-në do të përcaktojnë nëse rishikimi i paralajmëruar i adreson shqetësimet që ngriti votimi i tetorit.

Bashkimi Evropian i tha REL-it se është në bisedime për ligjin. Në tetor, BE-ja e mirëpriti kthimin e tij në Kuvend dhe tha se priste të konsultohej nëse diskutimet rifillonin. Në vitin 2014, përmes letërkëmbimit që i hapi rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara, Kosova u zotua ta konsultonte BE-në për nismat ligjore që prekin mandatin e gjykatës ose procedurat që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese./REL

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.