Ushqimet në Shqipëri më të shtrenjta se në BE, por të ardhurat shumë më të ulëta

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.11.2026, 09:01

Të bësh pazarin në Tiranë kushton dukshëm më shumë se në kryeqytetet e tjera të rajonit. Me të njëjtat 100 euro që shpenzohen në Shqipëri, në Prishtinë mund të blesh 46% më shumë ushqime, në Shkup 34% më shumë dhe në Podgoricë 25% më shumë. Edhe Beogradi dhe Sarajeva rezultojnë më të lira se kryeqyteti shqiptar.

Krahasimi i çmimeve në markete, bazuar në të dhënat e platformës Numbeo, tregon se një shportë me 15 produkte bazë kushton 54.6 euro në Tiranë. Në Prishtinë, e njëjta shportë kushton 37.3 euro, në Shkup 40.7 euro, në Podgoricë 43.8 euro, në Sarajevë 44.6 euro dhe në Beograd 46.9 euro.

Diferencat nuk lidhen vetëm me një apo dy produkte, por shtrihen në pothuajse të gjitha kategoritë e konsumit të përditshëm. Në Tiranë, 12 vezë kushtojnë mesatarisht 3.24 euro, kundrejt 1.61 eurove në Prishtinë. Një litër qumësht shitet për 1.97 euro, ndërsa në Sarajevë kushton vetëm 1.05 euro.

Edhe djathi, mishi dhe produktet e tjera të bulmetit rëndojnë më shumë mbi buxhetin e familjeve shqiptare. Një kilogram djathë kushton 11.4 euro në Tiranë, ndërsa në Prishtinë dhe Shkup rreth 7 euro. Filetoja e pulës arrin në 8.2 euro për kilogram, ndërsa viçi kushton mesatarisht 15.2 euro, kundrejt rreth 11 eurove në Prishtinë dhe Podgoricë.

Diferenca të mëdha vërehen edhe te produktet e freskëta. Bananet kushtojnë 2.2 euro për kilogram në Tiranë, rreth 75% më shumë se në Shkup. Qepët janë po ashtu 75% më të shtrenjta se në Beograd. Megjithatë, jo çdo produkt është më i kushtueshëm në Shqipëri: domatet kanë çmime më të larta në Beograd dhe Podgoricë, ndërsa orizi në Beograd.

Të dhënat e Numbeo mbështeten në çmime të raportuara nga konsumatorët dhe pasqyrojnë diferencat mes kryeqyteteve, jo mesataret kombëtare.

Çmimet në Shqipëri kalojnë edhe nivelin e Bashkimit Europian

Kjo panoramë nuk është thjesht një rezultat i krahasimit mes kryeqyteteve të rajonit. Edhe të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria po përballet me çmime ushqimore në nivele më të larta se mesatarja europiane.

Në vitin 2025, indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9% të mesatares së BE-së, nga 99.6% në vitin 2024 dhe rreth 85% në vitin 2022. Në Serbi ky tregues ishte 96.6%, në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 84.6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 74.3%.

Me fjalë të tjera, një shportë ushqimore që në BE kushton 100 euro, në Shqipëri kushton mesatarisht 103 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rreth 74 euro.

Presioni është veçanërisht i lartë te produktet e bulmetit dhe vezët. Sipas Eurostat, në vitin 2025 çmimet e kësaj kategorie në Shqipëri ishin 35.6% mbi mesataren e Bashkimit Europian.

Ajo që e bën më problematike këtë situatë është hendeku mes çmimeve dhe të ardhurave. Shqipëria ka të ardhura për frymë sa 43% e mesatares së BE-së dhe konsum individual për frymë sa 48% e saj. Pra, shqiptarët paguajnë për ushqimet më shumë se mesatarja europiane, por kanë ndjeshëm më pak të ardhura për t'i përballuar ato.

Pesha e ushqimeve arrin në rreth 40% të shpenzimeve të familjeve shqiptare, duke e bërë nivelin e çmimeve një nga faktorët kryesorë që përcaktojnë fuqinë e tyre blerëse.

Ndërkohë, forcimi i lekut ndaj euros gjatë viteve të fundit ka ulur koston e importeve në monedhën vendase. Megjithatë, kjo ulje nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet përfundimtare në rafte, duke lënë konsumatorët përballë kostove të larta të jetesës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit