
Pio Esposito po përjeton një moment fantastik në karrierën e tij. Sulmuesi i Interit ishte protagonist në fitoren e Italisë ndaj Francës në Ligën e Kombeve, ku realizoi dy gola, duke konfirmuar edhe një herë formën e shkëlqyer që po kalon me fanellën e kombëtares.
Me dygolëshin ndaj francezëve, 21-vjeçari ka shkuar në kuotën e nëntë golave në vetëm 14 ndeshje me Italinë. Një statistikë që e vendos në një pozicion të veçantë në historinë e përfaqësueses italiane.
Në moshën 21 vjeç e 137 ditë, Esposito është lojtari i dytë më i ri që ka realizuar të paktën tetë gola në 14 paraqitjet e para me Italinë. Përpara tij qëndron vetëm legjenda Giuseppe Meazza, i cili e kishte arritur këtë shifër në vitin 1931.
Pas ndeshjes, sulmuesi nuk e fshehu emocionin për paraqitjen e tij, duke theksuar rëndësinë e fanellës së kaltër dhe kënaqësinë për kontributin që po jep në këtë skuadër.
“Jam shumë i lumtur, sepse kjo është një fanellë shumë e rëndësishme, ajo që të gjithë ëndërrojmë ta veshim që kur jemi fëmijë. Jam i kënaqur me atë që po bëj unë, por edhe me atë që po bëjmë si ekip”, u shpreh Esposito.
Një moment i veçantë për të ishte edhe penalltia e realizuar, e cila solli emocione të forta. Sulmuesi shpjegoi se goditja kishte edhe një domethënie personale, pasi më herët vëllai i tij, Sebastiano, kishte humbur një 11-metërsh.
“Sa i përket lotëve, ajo penallti solli një ndjesi gëzimi për mbylljen e ndeshjes dhe për kompensimin e penalltisë që vëllai im humbi më herët. Seba di t’i godasë penalltitë, por kushdo mund të gabojë. Unë mora përsipër të dytën dhe kështu shkoi.
Nuk mund të mos mendoja për ndeshjen kundër Bosnjës, por nuk mund të fshihesha përgjithmonë. Penalltitë mund të humbasin dhe duhet të kesh guximin të dalësh përpara dhe t’i godasësh”, deklaroi Esposito.
