Ndërprerja e shërbimeve të Microsoft paralizon bizneset, shkollat e institucionet qeveritare në botë

Një ndërprerje masive e shërbimeve të Microsoft ka lënë përdoruesit në mbarë botën pa akses në postën elektronike Outlook, mjetet për organizimin e takimeve në Teams dhe shërbime të tjera që janë bërë pjesë e pandashme e punës së përditshme në zyra.
Në Shtetet e Bashkuara, punonjësit e disa kompanive, të lodhur nga problemet, u larguan më herët nga puna të enjten. Në Australi, bizneset nuk mund të printonin faturat, ndërsa disa shkolla nuk arritën të zhvillonin mësimin në internet të premten.
Dhe nuk kishte një zgjidhje të shpejtë. Deri në orën 3:30 të mëngjesit, sipas orës GMT, të premten, ndërprerja ishte ende e përhapur, duke prekur miliona përdorues, numri i saktë i të cilëve nuk dihej.
Microsoft po publikon përditësime në platformën X dhe në faqen e saj të dedikuar për gjendjen e shërbimeve.
“Po shohim rezultate pozitive nga përpjekjet tona për të rinisur infrastrukturën e prekur dhe për të rikthyer gradualisht funksionimin e serverëve, duke i trajtuar ata në mënyrë të veçuar”, deklaroi Microsoft në një përditësim të publikuar në orën 1:59 GMT.
Por në një tjetër postim, në orën 3:13 GMT, kompania njoftoi: “Kemi monitoruar rezultatet e ndryshimeve të zbatuara për të përmirësuar funksionimin e shërbimeve dhe kemi konfirmuar se ato nuk po japin efektin e pritshëm”.
“Po identifikojmë alternativa të tjera ndërhyrjeje për të rritur kapacitetin, ndërkohë që vazhdojnë problemet me shpërndarjen e trafikut në rrjet”, shtoi kompania, duke i lënë përdoruesit në platformën X të hutuar.
Pra, nëse llogaria juaj Outlook nuk po merr apo dërgon mesazhe elektronike, kjo është arsyeja.
Ndërprerja ka vazhduar për shumë orë, duke shkaktuar reagime nga më të ndryshmet.
Disa punonjës zyrash në SHBA e pritën me kënaqësi ndërprerjen e postës elektronike dhe bënë shaka se mund ta nisnin fundjavën më herët. Të tjerë vijuan punën pothuajse normalisht, duke komunikuar me kolegët përmes Slack, telefonit apo edhe në mënyrën tradicionale, ballë për ballë.
Por ndërprerja, e cila nisi rreth mesditës sipas orës së Bregut Lindor të SHBA-së, shkaktoi probleme serioze, veçanërisht pasi zgjati më shumë se një apo dy orë.
U prekën të gjitha shërbimet e Microsoft 365 që ndërveprojnë me Exchange Online dhe sistemet e postës elektronike. Këtu përfshihen Outlook, SharePoint, Teams, Microsoft 365 dhe asistenti i inteligjencës artificiale Copilot.
Për pasojë, bizneset e vogla nxituan të gjenin alternativa ndaj Microsoft për të komunikuar. Autoritetet vendore u kërkuan qytetarëve të telefononin në vend që të dërgonin mesazhe elektronike.
Në Australi, dita e premte nisi me konstatimin se shërbimet cloud të Microsoft nuk po funksiononin. Ndërprerja nxori jashtë funksionit transmetimet e drejtpërdrejta nga gjykatat, ndërsa shkollat u dërguan mesazhe prindërve, duke u kërkuar që mungesat e nxënësve t’i njoftonin me telefon, derisa të riktheheshin sistemet e postës elektronike.
Transmetuesi publik australian ABC raportoi se disa persona humbën intervistat e punës, pasi nuk mund të lidheshin me takimet virtuale. Ndërprerja shkaktoi gjithashtu probleme me furnizimin e disa qendrave të shpërndarjes që furnizojnë supermarketet.
Fillimisht, Microsoft deklaroi se problemet e lidhjes po ndodhnin “në kontinentet amerikane”, por me kalimin e kohës u bë e qartë se ndërprerja kishte përmasa globale.
Platforma Downdetector regjistroi në momentin e pikut 130 mijë raportime për probleme me Outlook. Megjithatë, kjo shifër nuk pasqyronte përmasat reale të ndërprerjes, pasi shumica e përdoruesve nuk i raportojnë problemet që përjetojnë.
Sipas Downdetector, numri i raportimeve filloi të binte me përfundimin e ditës së punës në SHBA.
Përafërsisht në atë kohë, Microsoft njoftoi se disa serverë ishin rikthyer në funksionim, por aksesi në postën elektronike vazhdonte të ishte i paqëndrueshëm për shumë përdorues.
“Masat që kemi ndërmarrë deri tani nuk kanë sjellë përmirësimin që prisnim”, deklaroi kompania në një postim të publikuar në orën 22:09 GMT.
Microsoft u përpoq t’i siguronte klientët se po ndërmerrte të gjitha masat e mundshme për të rikthyer aksesin në shërbime.
Por një përditësim i mëvonshëm njoftoi se “serverët që kemi rikthyer në funksionim mund të mos përgjigjen sërish sapo fillojnë të marrin trafik”. Me fjalë të tjera, Outlook kishte dalë përsëri jashtë funksionit./ CNN
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









