Një anije cisternë që transportonte gaz natyror të lëngshëm (LNG) ka shpërthyer në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se ka goditur një minë detare. Lajmi u bë i ditur nga Marina e Gardës Revolucionare Iraniane, ndërsa mediat shtetërore raportojnë se anija po lundronte në një itinerar që Teherani e konsideron të paautorizuar dhe të rrezikshëm.

Deri më tani nuk është bërë i ditur emri i cisternës apo flamuri nën të cilin lundronte. Ngjarja vjen pas raportimeve të së enjtes për katër cisterna nafte të goditura nga shpërthime në të njëjtën ngushticë. Sipas autoriteteve iraniane, anijet kishin shpërfillur paralajmërimet dhe kishin hyrë në zona ku Irani ka ndaluar lundrimin.

Sulmet ndaj anijeve vijojnë pavarësisht rritjes së trafikut detar dhe pritjeve për ulje të tensioneve në konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Sipas të dhënave të Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt, të paktën 10 anije janë goditur gjatë 10 ditëve të para të nëntorit, pas 37 sulmeve të regjistruara gjatë tetorit, numri më i lartë mujor që prej nisjes së konfliktit në fund të shkurtit.

Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane njoftoi gjithashtu se kishte shënjestruar një sistem amerikan radarësh të paralajmërimit të hershëm në Bahrein. Deri tani, as autoritetet e Bahreinit dhe as ato amerikane nuk kanë konfirmuar pretendimin për sulmin. Zhvillimet vijnë në një kohë kur Uashingtoni pretendon se ka përfunduar në masë të madhe operacionet e çminimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: