IKMT bllokon dy raste të transportimit të paligjshëm të lëndëve drusore në Dibër dhe Kukës

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka bllokuar dy raste të transportimit të lëndëve drusore pa dokumentacionin përkatës që vërteton origjinën dhe destinacionin e tyre.
Ndërhyrja e parë u realizua nga Drejtoria Rajonale e Dibrës, gjatë kontrolleve në aksin Muhur–Selishtë–Peshkopi. Ndërsa rasti i dytë u konstatua nga Drejtoria Rajonale e Kukësit, ku u ndalua një automjet që transportonte lëndë drusore në aksin Mamëz–Kalimash.
Në të dyja rastet, ndaj drejtuesve të mjeteve u zbatuan procedurat ligjore, ndërsa lënda drusore e sekuestruar iu vu në dispozicion njësive vendore.
IKMT bën me dije se kontrollet në terren do të vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarive të paligjshme në zonat pyjore.




