Odisea Dhima, 58 vjeç, vëllai i peshëngritësit të njohur me origjinë shqiptare, Pirro Dhima, është arrestuar mëngjesin e së premtes në Athinë, nën dyshimet për shpërndarje dhe administrim të substancave të ndaluara për sportistët.
Sipas autoriteteve greke, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e 58-vjeçarit dhe në qendrën sportive që ai drejtonte, janë zbuluar sasi të konsiderueshme preparatesh dopingu, të cilat dyshohet se përdoreshin për të përmirësuar artificialisht performancën e atletëve.
Hetimet kanë ngritur dyshime se Dhima ishte përfshirë në këtë veprimtari prej më shumë se 14 vitesh, ndërsa sipas akuzës, substanca të tilla dyshohet se i kishte administruar edhe djalit të tij.
Autoritetet greke bëjnë të ditur se, të paktën që prej prillit të vitit 2024, i arrestuari dyshohet se furnizonte sportistë me preparate të ndaluara dhe ua administronte ato.
Gjatë hetimeve është dokumentuar edhe një rast që përfshin një sportist të mitur, të cilit dyshohet se i ishte dhënë një substancë e përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA), gjatë zhvillimit të një gare. Për këtë episod, trajneri dhe sportisti ishin ndëshkuar më herët me përjashtim nga aktivitetet sportive.
Operacioni policor u shtri në një banesë dhe në ambiente sportive në rajonin e Atikës, ku u sekuestruan gjithsej 871 tableta dhe ampula me substanca të dyshuara dopingu. Sipas autoriteteve, preparatet nuk ishin të miratuara nga Organizata Kombëtare Greke e Barnave dhe paraqisnin rrezik për shëndetin.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve u gjetën 15 mijë euro para të gatshme, 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë dhe një telefon celular. Ky i fundit do t’i nënshtrohet ekspertimit, pasi hetuesit dyshojnë se mund të përmbajë të dhëna të tjera lidhur me aktivitetin e paligjshëm.
Arrestimi u realizua nga Drejtoria Greke për Luftën kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Organizatën Greke Antidoping (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).
Pas arrestimit, 58-vjeçari u dërgua në prokurori për veprimet e mëtejshme procedurale, ndërsa pritet të dalë përpara gjykatës, e cila do të vendosë për masën e sigurisë ndaj tij.
