Një kolonel i ushtrisë ruse është vrarë nga shpërthimi i një bombe në makinë, ngjarje që dyshohet të jetë një atentat i orkestruar nga Ukraina. Komandanti, i identifikuar si Dmitry Lobodin, humbi jetën kur një mjet shpërthyes i aktivizuar në distancë shpërtheu pikërisht në momentin kur automjeti i tij po dilte nga oborri i një kompleksi banesash në Shën Pjetërburg. Ky është sulmi i dytë i këtij lloji në qytet brenda vetëm tre muajve, ndërsa shtohen atentatet ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë të Putinit. Lobodin, 57 vjeç, ishte një figurë e lartë në forcat ajrore ruse. Sipas raportimeve, shtëpia e tij ndodhej vetëm rreth 400 metra larg vendit të shpërthimit. Mjeti shpërthyes dyshohet se ishte vendosur në pjesën e poshtme të automjetit të tij. Shërbimet sekrete të Ukrainës janë vënë menjëherë nën shënjestër duke u akuzuar si organizatore të sulmit, ndërsa ka nisur një hetim zyrtar lidhur me vdekjen e kolonelit. Rusia ka akuzuar shërbimet e inteligjencës së Kievit për një sërë shpërthimesh që kanë pasur si objektiv figura të ushtrisë dhe të sigurisë. Divizioni në të cilin bënte pjesë koloneli, është një nga më të rëndësishmit për rusinë. Ai është përgjegjës për mbrojtjen e hapësirës ajrore mbi Shën Petersburg si edhe të një pjese të gjerë të kufirit të Rusisë me NATO-n. Por ky divizion ka marrë pjesë edhe në luftën në ukrainë.