Boksieri iranian Mohammad Javad Vafaei Sani, i cili ndodhet prej vitesh pas hekurave dhe përballet me dënimin me vdekje, është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar Magnitsky për qëndresën dhe angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut. 31-vjeçari, ish-kampion boksi dhe trajner, u shpall fitues gjatë një ceremonie të organizuar të enjten në Londër. Megjithëse i pamundur të ishte i pranishëm, ai përcolli nga burgu një mesazh të fuqishëm, duke deklaruar se nuk do të heqë dorë nga lufta për një Iran të lirë dhe demokratik.
Në deklaratën e dërguar nga burgu Vakilabad, në verilindje të Iranit, sportisti ia kushtoi çmimin të gjithë qytetarëve që janë përballur me burgosje, tortura, kërcënime dhe dënime me vdekje për shkak të kundërshtimit të autoriteteve iraniane. “Regjimi kërkon prej nesh pendim, rrëfime të detyruara para kamerave dhe dorëzim. Por përgjigjja jonë është e qartë: Nuk do të dorëzohemi kurrë dhe nuk do të pranojmë poshtërimin”, thuhej në mesazhin e tij.
Vafaei Sani u arrestua në vitin 2020, pas pjesëmarrjes në protestat masive të vitit 2019, gjatë të cilave mijëra qytetarë iranianë dolën në rrugë për të kërkuar ndryshime politike dhe demokratike. Autoritetet e akuzuan për lidhje dhe mbështetje ndaj organizatës opozitare Muxhahedinët e Popullit të Iranit (MEK). Ai u shpall fajtor për veprën penale të cilësuar si “korrupsion në tokë”, ndërsa në shtator të vitit 2024 mori për herë të tretë dënimin me vdekje.
Më 4 tetor 2025, Gjykata Supreme e Iranit la në fuqi vendimin kapital. Organizata Amnesty International e ka kritikuar ashpër procesin gjyqësor, duke e konsideruar atë thellësisht të padrejtë. Sipas raportimeve të organizatave ndërkombëtare, gjatë burgimit 31-vjeçari është përballur me tortura dhe periudha të gjata izolimi. Ai renditet mes shtatë sportistëve iranianë që, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, rrezikojnë ekzekutimin.
Rasti i tij ka tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa sportistë, juristë dhe organizata humanitare kanë kërkuar anulimin e dënimit dhe lirimin e tij. William Browder, drejtues i Fondacionit Magnitsky Justice dhe kryetar i komitetit të çmimeve, theksoi se vlerësimi synon të mbajë të gjallë vëmendjen ndërkombëtare ndaj fatit të boksierit.
“Gjëja më e rëndësishme është se Mohammad Javad është ende gjallë. Prandaj ky çmim ka rëndësi. Sa herë që bota i kushton vëmendje çështjes së tij, bëhet më e vështirë që ai të vritet në heshtje”, u shpreh Browder. Çmimi Magnitsky, i themeluar në vitin 2015, mban emrin e Sergei Magnitsky, juristit rus që ndërroi jetë gjatë paraburgimit pasi kishte denoncuar raste korrupsioni të lidhura me autoritetet shtetërore. Ky vlerësim u jepet personaliteteve që dallohen për guximin dhe kontributin në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore.
Ndërkohë, situata e të drejtave të njeriut në Iran vijon të ngjallë shqetësim. Sipas të dhënave të organizatës Hengaw, që prej fillimit të vitit 2026 janë ekzekutuar të paktën 710 persona, përfshirë 79 të burgosur politikë dhe fetarë. E njëjta organizatë raporton se të paktën 106 persona të arrestuar gjatë protestave të janarit janë dënuar me vdekje, ndërsa 35 prej tyre janë ekzekutuar. Vetëm në burgun Vakilabad, ku mbahet edhe boksieri, pesë persona janë ekzekutuar në lidhje me protestat dhe 15 të tjerë rrezikojnë të njëjtin fat.
Pavarësisht rrezikut që i kanoset, Vafaei Sani ka përsëritur se nuk do të heqë dorë nga bindjet e tij. Në mesazhin e përcjellë nga qelia, ai përshkroi ëndrrën për një Iran ku qytetarët të mund të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre, ku gratë dhe burrat të gëzojnë të drejta të barabarta dhe ku askush të mos përndiqet për pikëpamjet politike. “Do të qëndroj i palëkundur në betimin tim dhe nuk do t’i nënshtrohem shtypjes derisa populli i Iranit të jetë i lirë”, përfundoi boksieri.