Odise Dhima, 58 vjeç, vëllai i ish-peshëngritësit të njohur Pirro Dhima, është arrestuar në Greqi, nën dyshimet për furnizimin dhe shpërndarjen e substancave të ndaluara te sportistët.
Ai u vu në pranga mëngjesin e së enjtes, 12 nëntor, në një zonë të Atikës. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, Dhima dyshohet se, duke ushtruar aktivitetin si trajner peshëngritjeje, siguronte dhe shpërndante preparate dopingu te sportistët që prej prillit të vitit 2024.
Gjatë kontrolleve në një banesë dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 njësi medikamentesh dhe substancash të paligjshme dopingu, në formën e tabletave dhe ampulave. Sipas autoriteteve, preparatet nuk ishin të miratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe paraqisnin rrezik për shëndetin.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan gjithashtu 15 mijë euro cash, 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë dhe një telefon celular.
Sipas akuzës, 58-vjeçari dyshohet se e ushtronte këtë aktivitet prej më shumë se 14 vitesh. Hetuesit pretendojnë se ai kishte furnizuar me substanca të ndaluara edhe sportistë të tjerë, mes tyre edhe djalin e tij.





