Interesat e kredisë për shtëpi pësuan rënie të mëtejshme në tremujorin e tretë

Normat e interesit të kredive për shtëpi pësuan rënie të mëtejshme në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë hipotekare në Lekë për individë rezultoi 3.7% në tremujorin e tretë, duke vijuar rënien nga vlerat 3.8% dhe 3.9% të tremujorit të dytë e të parë të vitit.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, mbizotërimi i ofertave me norma fikse interesi për vitet e para të kredisë në këtë segment me konkurrencë të lartë mes bankave, ka kufizuar deri tani ndikimin e rritjes së yield-it 12-mujor në normën e interesit.
Këto të dhëna tregojnë se kredia për shtëpi vazhdon të mbështetet nga bankat me norma tërheqëse interesi dhe tregu ngelet mjaft dinamik.
Gjatë nëntë muajve të këtij viti, sektori bankar disbursoi gjithsej 53.4 miliardë kredi, 6.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Të dhënat tregojnë se vlera e kredisë për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik. Megjithatë, ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në fund të 9-mujorit 2025, kredia e re për shtëpi rezultonte në rritje 27% me bazë vjetore.
Portofoli aktiv total në fund të shtatorit arriti vlerën e 267.7 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky portofol është zgjeruar me pothuajse 13.4%. Edhe ritmi i rritjes vjetore të portofolit është ngadalësuar nga niveli prej 18% i një vitit më parë.
Financimi nëpërmjet kredisë bankare vazhdon të jetë një element i rëndësishëm i mbështetjes së kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti rreth 58% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare.
Masat e ndërmarra vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë kanë filluar të japin një lloj efekti, megjithëse ndikimi i tyre nuk ka duket të jetë shumë drastik.
Që prej korrikut të vitit të kaluar, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është vendosur në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
Këto masa u morën për të frenuar ritmet e shpejta të rritjes së kredisë për shtëpi dhe të ekspozimit të sektorit bankar ndaj çmimeve të pasurive të paluajtshme. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









